25 Dhjetor 2024

Preportr: Investimet në fushën e bujqësisë nuk e kanë ulur importin

Prishtinë, 16 dhjetor - Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese-Preportr e cila funksionon në kuadër të organizatës Çohu! ka prezantuar hulumtimin mbi ndikimin e granteve dhe subvencioneve në fushën e bujqësisë të titulluar: \"Thesi i shkyem\"

Ky hulumtim ka për qëllim analizimin e investimeve në fushën e bujqësisë dhe ndikimin ekonomik që kanë dhënë këto investime.

Për të parë këtë ndikim, Preportr ka marrë për bazë produktet në të cilat është investuar më së shumti, si qumështi, mishi i gjedheve, gruri si dhe perimet. Investimet në këto produkte janë krahasuar me importin, eksportin (sasinë dhe vlerën), konsumin, prodhimin në nivel vendi si dhe trendin e të punësuarve në fushën e bujqësisë në periudhën 2013-2015.

Në periudhën 2013-2015 janë investuar rreth 220 milionë euro në fushën e bujqësisë, por kjo nuk e ka ulur importin, përkundrazi kemi rritje të importit për produktet bujqësore për të cilat jepen grante dhe subvencione për 21 milionë euro, ndërsa eksporti në këtë periudhë është rritur vetëm për  900 mijë euro.
Gjithashtu ky investim nuk ka ndikuar që të ketë rritje të pjesëmarrjes së bujqësisë në GDP.

Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2013 pjesëmarrja e bujqësisë në GDP ishte 11.9 %, në vitin 2014 ishte 11.8 %, ndërsa në vitin 2015 ishte 11.0%.

Ministria e Bujqësisë nuk ka të dhëna në lidhje me mjetet totale të investuara në fushën e bujqësisë në nivel vendi. Ky fakt shpërfaqë mungesën e koordinimit ndërinstitucional. Kjo ministri nuk ka të dhëna se sa ka investuar secila komunë dhe sa kanë investuar donatorët në komuna.

Vetëm për trashjen e viçave dhe përpunimin e mishit nga Ministria e Bujqësisë për vitet 2013-2014 janë investuar me shumë se 7 milionë euro. Ky investim nuk ka ndikuar në rritjen e eksportit, kurse importi ka shënuar rritje. Në total janë importuar më shumë se 21 milionë euro mish të gjedhit. Ndërsa eksporti ka qenë i vogël, vetëm 5500 euro brenda tri viteve.

Hulumtimi është marrë edhe me investimet që janë bërë në serra dhe kultivimin e perimeve në fushë të hapur. Investimet në serra në formë të granteve dhe të subvencioneve kapin vlerën rreth 12.4 milionë euro.

Ky investim nuk ka ndikuar që të ketë zvoglim të importit në perimet që janë analizuar në këtë hulumtim. Eksporti ka shënuar një rritje të vogël.
Importi i domateve prej vitit 2013 deri ne vitin 2015 është gati 14 milionë euro. Eksporti ishte vetëm 40 mijë e 300 euro.
 
Prodhimi i domateve nuk ka shënuar rritje të madhe. Sipas të dhënave të ASK-së, në vitin 2013 Kosova ka prodhuar 17,291 ton domate, ndërsa në vitin 2014 prodhimi ishte pothuajse i ngjashëm me 17,386 ton.

Te specat poashtu dallimi në mes eksportit dhe importit është shumë i madh. Vlera e importit ishte 12.4 milionë eksporti gati 1 milion euro.

Vetëm të trangujt ka pasur një rritje të theksuar të eksportit, prej vitit 2013 deri në vitin 2015. Në vitin 2013 eksporti ishte vetëm 645 euro, ndërkaq u rrit më 2015 në më shumë se 44 mijë euro. Importi i këtij produkti mbetet shumë i lartë dhe ka shënuar rritje prej vitit në vit. Në total për tri vite janë importuar 4.4 milionë euro.

Tek gruri hulumtimi tregon se në periudhën 2013-2015 u investuan në formë të subvencioneve mbi 17 milionë euro. Në këtë periudhe pati një rritje të lehtë të eksportit në gati 58 mijë euro, importi arriti në gati 35 milionë euro.

Edhe tek qumështi është investuar shumë. Pavarësisht kësaj, importi i qumështit ka shënuar rritje prej vitit në vit. Sipas të dhënave që janë siguruar nga listat e përfituesve të publikuara nga Ministria e Bujqësisë për vitet 2013- 2015, në formë të granteve dhe subvencioneve janë investuar 15 milionë e 970 mijë e 926 euro.

Importi i qumështit nuk ka shënuar rënie, madje ai është rritur për gati 3 milionë euro prej vitit 2013 në vitin 2014. Importi ishte më shumë se 41 milionë euro. Eksporti 412 mijë euro.

Gjithashtu edhe trendi i punësimit në fushën e bujqësisë ka shënuar rënie në periudhën e lartpërmendur. Të dhënat e Anketës së Fuqisë Punëtore sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë për një trend të theksuar të rënies së numrit të të punësuarve në sektorin e bujqësisë. Në vitin 2013 në fushën e bujqësisë kanë qenë të punësuar 5.4 për qind të qytetarëve, në vitin 2014 2.3 për qind dhe në vitin 2015 1.8 për qind.

Hulumtimi ka gjetur se në listat e përfituesve të granteve për periudhën 2013-2015 ka edhe financues të PDK-së dhe VV-së. Preportr ka gjetur 13 përfitues të granteve që kanë dhënë donacione për këto dy subjekte politike, e para që është në pushtet në nivel qendror, ndërsa e dyta në opozitë. 9 përfitues kanë dhënë donacione për PDK-në, ndërsa katër kanë dhënë donacione për VV. Shumica e këtyre financuesve kanë marrë dy herë grante brenda dy viteve.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, as shpërndarja e granteve duket se nuk është bërë në mënyrë të drejtë për të gjitha komunat. Nga komunat e vogla, Skenderaj (98 grante me vlerë 5,736,842 euro) Drenasi (56 grante me vlerë 3,289,985 euro) kanë përfituar më së shumti, krahasuar me komunat tjera më të mëdha, ku ka potencial më të madh për zhvillimin e bujqësisë si ajo e Mitrovicës (57 grante me vlerë 2,860,412.52 euro), Pejës (45 grante me vlerë 2,015,449), Gjakovës (42 grante me vlerë 3,501,334 euro), Gjilanit (35 grante me vlerë 2,841,763 euro) etj. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)