23 Dhjetor 2024

Po rriten fermat bujqësore dhe blegtorale

Prishtinë, 24 janar - Fermat bujqësore në vend, nga viti në vit po shënojnë rritje. Me investimet e fermerëve dhe me mbështetjen, e cila është intensifikuar nga institucionet vendore është rritur dukshëm edhe numri i fermave të mëdha dhe të specializuara krahasuar me vitet e mëhershme.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, numri i fermave të mëdha dhe të specializuara nga 104 sa ishte në vitin 2007, ka arritur në 341 në vitin 2012.

Ndërkaq, në bazë të këtyre të dhënave, del se numri i fermave të vogla ka mbetur afërsisht i njëjtë, por indikative është rritja e sipërfaqeve të tyre për 5.7 për qind.

Rritja më e madhe, sipas këtyre të dhënave është tek numri i hektarëve në fermat e mëdha dhe të specializuara, nga 3,434 ha në vitin 2007, në 6,969 ha në vitin 2012, me një rritje prej 102.9 për qind.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, këtë rritje e ndërlidh me fokusin e investimeve të tyre tek fermat gjysmëkomerciale dhe komerciale.

“I gjithë fokusi ynë gjatë këtyre viteve ka qenë tek fermat gjysmëkomerciale dhe komerciale dhe jo tek fermat e vogla. Brenda vitit arrijmë të përkrahim mbi 20 mijë ferma në mënyrë të drejtpërdrejtë, por shqetësuese ka qenë dhe mbetet produktiviteti dhe rendimentet bujqësore, të cilat në disa ferma nuk janë aq të mëdha, si rezultat i përmasave të vogla të fermës dhe mungesës së qasjes në ekspertizën teknike, duke rezultuar në praktika të vjetruara bujqësore, përdorim joadekuat i inputeve dhe praktikave joefikase të menaxhimit të fermës, por të gjitha këto dobësi i kemi adresuar dhe gjatë gjithë kësaj kohe jemi munduar t’i fuqizojmë me investime, si të drejtpërdrejta, ashtu edhe përmes shërbimeve këshillimore.\"

\"Pra, kemi indikatorë të matshëm shumë pozitiv të këtyre investimeve, të cilat tregohen edhe prej anketave të ASK-së, por natyrisht që mbetet edhe shumë punë për të bërë, sidomos në përmirësimin e aftësive konkurruese dhe në ristrukturimin e potencialeve fizike në ferma”, thotë zëdhënësi Behramaj.

Ndryshe, sipas të dhënave të ASK-së, gjithsej ferma të vogla dhe të mëdha në vend janë 185,765 me një sipërfaqe prej 277,364 hektarë.



 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)