Pestova prezanton çmimin për arritje në kualitet, ESQRS
Kompania prodhuese dhe përpunuese e patates Pestova, është njëra nga agrobizneset kosovare, e cila para një jave ka marrë çmimin për arritje në kualitet ESQRS 2013, nga Shoqata Evropiane për Hulumtimin e Cilësisë.
Në prezantimin e këtij çmimi nga kjo kompani, ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, vlerësoi se ndarja e këtyre çmimeve për agrobizneset kosovare rikonfirmon kualitetin e prodhimeve bujqësore kosovare, që sipas tij këto suksese janë edhe një motivim për të punuar dhe për ti përkrahur edhe më shumë ato.
Ai tregoi se Ministria e Bujqësisë, nga viti në vit, përmes politikave të saj bujqësore po mundohet që ta përkrah prodhimtarinë primare dhe që nga ky vit edhe agropërpunimin.
Ministria e Bujqësisë po ofron përkrahje për herë të parë sivjet edhe në këtë sferë të prodhimit dhe përpunimit, me të cilën merret edhe kompania Pestova, por edhe kompanitë e tjera. Nëpërmjet granteve investive do ta përkrahim prodhimin dhe përpunimin në masën prej 60 për qind, ndërsa pjesa tjetër e financimit do të jetë nga fondet private të agrobizneseve, ka thënë ministri Stavileci.
Ai tregoi se tashmë janë në fazën e përzgjedhjes së projekteve dhe që nga muaji tetor do të fillojë edhe faza e investimeve, e pas kësaj ajo e ekzekutimit të përkrahjes financiare.
Në anën tjetër, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari Lila, ka thënë se këto çmime janë edhe një promovim më tepër për produktet kosovare, të cilat sipas saj kanë depërtuar edhe në tregjet më të zhvilluara të botës.
Jemi në fazën kur institucionet e Kosovës në vazhdimësi janë në gjetje të mënyrës së përkrahjes së produkteve vendore dhe gjatë kësaj faze ne dëshirojmë të fokusohemi në përmirësimin e kualitetit të këtyre produkteve, në përmirësimin e imazhit të bizneseve tona, tha ministrja Kusari-Lila.
Ndërsa, sipas Bedri Kosumit, pronar i kompanisë Pestova, ky çmim tregon se agrobizneset në Kosovë prodhojnë produkte kualitative dhe sipas tij kualiteti i tyre po njihet edhe ndërkombëtarisht.
Tash bujqësia dhe bujqit janë në qendër të vëmendjes dhe është e vërtetë që institucionet me përkrahjen e tyre kanë filluar ti lëvizin gjërat në drejtim pozitiv, por ne nuk guxojmë të kënaqemi me të arriturat e deritashme dhe nuk guxojmë të ndalemi. Pra, për ne si prodhues ende nuk ka vend për vetëkënaqësi dhe lypset edhe shumë punë nga të gjithë ne, në mënyrë që të krijojmë parakushte të barabarta me shtetet e rajonin në prodhim, tha Kosumi.
Në anën tjetër, Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, z. Bajram Mulaku e cilësoi kompaninë Pestova si prijëse të zhvillimit të agrobiznesit si dhe model për kultivimin e bujqësisë, duke e vlerësuar këtë çmim plotësisht të merituar. Krahas kësaj, ai tha se një tjetër veçori e kësaj kompanie, është sjellja e teknologjive të reja dhe moderne për përpunimin e patates.
Arian Zeka, Drejtor Ekzekutiv i Odës Amerikane, çmoi lartë punën e vazhdueshme të kompanisë Pestova duke shtuar se shembulli i suksesit t ë kësaj kompanie është rezultat i punës së zellshme të pronarit të kësaj kompanie, duke theksuar se një pjesë e madhe e këtij suksesi është arritur vetëm falë përpjekjeve dhe kapaciteteve vetanake të Pestova-së.