Përurohet rregullimi i shtratit të lumit në Gadime të Ulët
Prishtinë, 18 nëntor - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi do të marrë pjesë në përurimin e rregullimit të shtratit të lumit në Gadime të Ulët në Lipjan. Projekti është bashkëfinancim i zyrës së BE-së dhe MPMS-së, ndërsa është implementuar nga IOM-i.
Projekti është financuar nga fondet e IPA-s të Komisionit Evropian, në kuadër të programit Kosova e bukur II.
Ky projekt është pjesë e programit Kosova e bukur, i cili po mbështet komunat në përmirësimin e infrastrukturës urbane dhe sociale, me qëllim të përmirësimit të kushteve të jetesës për qytetarët e tyre, mirëpo edhe me qëllim të krijimit të vendeve të punës afatshkurtra për të papunësuarit për një kohë të gjatë në Kosovë.
Qëllimi i këtij projekti është të rritet zhvillimi i turizmit në fshatin Gadime në rrethinën e shpellës prej mermeri që ndodhet në këtë fshat.
Me këtë projekt ndërtohen muret e shtratit të lumit, shtigjet për ecje përgjatë lumit, rrafshnalta dhe zyra për bileta në hyrje të Shpellës prej Mermeri, zona e gjelbër si dhe do të instalohen ndriçimi publik, stolat dhe shportat për hedhurina.
Ky projekt është implementuar gjatë periudhës prill-tetor 2015.Për implementimin e këtij projekti janë shpenzuar gjithsej 236,032 (përfshirë këtu 43,527 kontributin e Komunës).
Ndikimi i këtij projekti në punësim është si në vijim: janë krijuar gjithsej 67 vende pune, përfshirë 56 persona të regjistruar si të papunësuar për një kohë të gjatë në Qendrën për Punësim.