Përurohet qendra grumbulluese e qumështit në Lipovec të Gjakovës
Gjakovë, 6 gusht - Me investime kapitale të Komunës së Gjakovës, në vlerë prej afro 16 mijë euro, sot në fshatin Lipovec është bërë përurimi i Qendrës së Grumbullimit të Qumështit, si projekt në kuadër të Drejtorisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Me këtë rast, Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, ka uruar hasjanët për këtë përfitim dhe ka theksuar se agrikultura është sektor shumë i rëndësishëm për punësim, duke u nisur edhe nga fakti se pa blegtori dhe bujqësi nuk mund të ketë zhvillim të mjaftueshëm në komunë.
Më tutje kryetarja Mimoza Kusari Lila ka shtuar, se ne jemi të vetëdijshëm për nevojat që ka Hasi dhe me këtë investim jemi munduar të kontribuojmë në këtë rajon po ashtu do të jemi të fokusuar edhe në projekte tjera të mëdha zhvillimore për banorët e këtij fshati.
Bekim Ermeni, Drejtor i Drejtorisë së Bujqësisë dhe të Zhvillimit Rural, ka pohuar se qëllimi i këtij investimi në ndërtimin e objektit si dhe pajisjen me aparaturë për funksionalizim, është fakti se Lipoveci dhe fshatrat përreth kanë kapacitete të mjaftueshme të qumështit.
Në këtë mënyrë ulet kostoja e transportit si dhe arrihet një synim që e kemi në përmirësimin e cilësisë së qumështit, njëkohësisht është një mbështetje edhe për qumështoren lokale Golaj.
Hysni Golaj, në emër të fshatit ka falënderuar Komunën e Gjakovës, posaçërisht Kryetaren Mimoza Kusari Lila dhe Drejtorin Bekim Ermeni, për këtë investim në blegtori dhe bujqësi, duke thënë se: Që nga paslufta ky është investimi i parë në këtë lëmi në rajonin e Hasit. Deri më tani jemi detyruar të bëjmë deri në dyzet kilometra rrugë për të dorëzuar qumështin, ndërsa tani kjo mund të bëhet në distancë maksimale prej shtatë kilometrave.
Edhe qytetari nga diaspora Dash Golaj është shprehur jashtëzakonisht mirënjohës ndaj Komunës për këtë qendër të qumështit në Lipovec, duke theksuar se: Më vjen shumë mirë që nuk e keni harruar Hasin, sepse janë njerëz që kanë vuajtur ndër vite. Golaj ka përmendur edhe shembullin konkret nga Zvicra, se si blegtoria dhe bujqësia janë primare për zhvillim të gjithmbarshëm ekonomik.