23 Dhjetor 2024

Përurohet ‘Qendra e Agro-Biznesit’ në Shtime

Shtime, 27 Shkurt - Sot, në Shtime, me një ceremoni solemne u përurua Qendra e Agro-Biznesit për grumbullimin, klasifikim, kategorizim dhe ruajtjen e pemëve dhe perimeve të rajonit ekonomik qendër.

Ndërtimi i kësaj qendre, që është një kontribut i drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës, është ndërtuar me ndihmën e  Bashkimit Evropian përmes skemës së granteve për zhvillim ekonomik, e njohur si EURED.

Në ceremoninë e përurimit të Qendrës së Agro-Biznesit mori pjesë Christof Stock, Udhëheqës i Sektorit të Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Z. Stock tha se Agro - Kultura është sektor i cili kontribuon me rreth 14 përqind në GDP-në e përgjithshme në Kosovë, ndërkaq punëson rreth 30 përqind të popullsisë, andaj, qendrat si kjo që sot po përurojmë ndikojë drejtpërdrejtë edhe në zhvillimin ekonomik si në komunën e Shtimes dhe përreth.

“Kjo qendër do të ofrojë një mundësi të veçantë për fermerët e katër komunave partnere të projektit. Rreth 2 mijë fermerë do të sjellin produktet e tyre në këtë qendër grumbulluese dhe përmes këtij projekti ata do të këshillohen sesi të organizojnë biznesin e tyre në mënyrë më efektive e po ashtu përmes kësaj qendre ato do të mund të promovojnë produktet e tyre si dhe të bëjnë paketimin dhe shitjen e tyre”, tha z.Stock.

Ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci, tha ndërkaq se më shumë se 2 mijë familje do të kenë mundësi që të përfitojnë nga dobitë që sjellë ky projekt.

“Është kënaqësi për secilin prej nesh, e mbi të gjitha për ne që drejtojmë sektorin, kur shohim që idetë e mira, përpjekjet dhe veprimet konkrete të të gjithë neve bëhen realitet, dhe i ofrojmë komunitetit të gjerë bujqësor një vepër siç është kjo, pra një objekt i cili do të prodhojë efekte të shumanshme pozitive, duke u nisur nga efektet që do t’i ketë tek prodhuesit në fushë e deri tek konsumatori i cili do të mund t’i gjejë këto prodhime në treg apo në supermarket e ndryshme të vendit tonë”, tha Ministri Stavileci.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, tha ndërkaq se, kjo qendër e ndërtuar me kontributin e Bashkimit Evropian dhe të Komunës së Shtimes ka fuqizuar edhe bashkëpunimin ndër-komunal me komunat fqinje.

“Është një projekt i cili përfshinë komunat fqinje të Shtimes, si komunën e Drenasit, Ferizajt Therandës dhe Lipjanit, e në veçanti fermerët nga këto komuna të cilët kanë pasur mundësi që për një periudhë gati një vjeçare të ndjekin trajnimet në këtë sferë  dhe të njihen me objektin që po shihni sot”, tha kryetari i Komunës së Shtimes.

Në projektin për ndërtimin e Qendrës së Agro-Biznesit në Shtime janë investuar rreth 475 mijë Euro, prej nga rreth 70 përqind janë kontribut i Bashkimit Evropian. Projekti ka për qëllim krijimin i një ambienti më të favorshëm për sektorin e Agro-Biznesit në rajonin ekonomik qendër përmes qasjes më të mirë të fermerëve në treg dhe duke rritur kështu prodhimin e pemëve dhe perimeve në këtë rajon dhe përreth.

Projekti i cili ka zgjatur rreth 12 muaj synon të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të komunës së Shtimes, Ferizajit, Lipjanit dhe Drenasit duke gjeneruar kështu vende të reja pune dhe duke përmirësuar aftësinë konkurruese të bizneseve ekzistuese.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)