Përurohet fillimi i punimeve në rregullimin e shtratit të lumit Klina në Skenderaj
Skenderaj, 16 tetor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, në ditën e parë të emërimit të tij si ministër, së bashku me këshilltarët politik e sekretarin Arben Çitaku kanë bërë homazhe tek Kompleksi Memorial "Adem Jashari" në Prekaz.
Gjatë vizitës në Komunën e Skenderajt, ministri Matoshi së bashku ne kryetarin e Komunës së Skenderajt, Bekim Jasharin, kanë vu themelin e punimeve të projektit “Rregullimi i shtratit të lumit Klina”, i financuar nga MMPH.
Gjatë kësaj ceremonie, Matoshi tha se në ditën e parë të detyrës së ministrit po e viziton komunën e Skenderajt duke kujtuar se ky vend është i të gjithë shqiptarëve.
Ministri Matoshi tha se projekti për rregullimin e shtratit të lumit Klina do të ketë ndikim pozitiv për qytetarët dhe komunën e Skenderajt.
" Për mua është nder i veçantë që ditën e parë të punës sime, tanimë si ministër, ta fillojë në Komunën e Skenderaj. Lumi Klina që ne, këtë vit e mbështesim financiarisht në vlerë prej 200 mijë euro, do të ketë ndikim në disa aspekte, do t’i parandalojë vërshimet, do të ruaj biodiversitetin dhe do t’ia kthej një pamje shumë të mirë lagjes ‘Spahiu’ në Skenderaj”, tha Matoshi.
I pari i MMPH-së, Matoshi tha se dikasteri që ai drejton është duke mbështetur edhe projekte të tjera në Komunën e Skenderajt.
“ Rregullimi i shtratit të lumit Klina, nuk është projekti i vetëm në Skenderaj. MMPH-ja është duke mbështetur edhe katër projekte të tjera në këtë komunë në shumë të përafërt prej 1 milion euro”, tha ministri Matoshi.
Ndërsa kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari falënderoi ministrin Matoshi për mbështetjen e dhënë në investime të projekteve në këtë komunë.
“Ky është një projekt i rëndësishëm që Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka mbështetur, komunën tonë dhe qytetarët tanë”, tha Jashari.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor është duke mbështetur Komunën e Skenderajt në projektet: “ Kyçjet individuale në ujësjellës për 12 fshatra – Skenderaj”,
“Rregullimi i kanalizimit fekal në Skenderaj”, “Rrjeti i kanalizimit në Prekaz-Mikushnicë, Skenderaj” dhe “Ndërtimi i kanalizimit në fshatin Runik – Skenderaj”.