Përurohen investimet e reja në Bodrumin e vjetër në Rahovec
Rahovec, 27 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi së bashku me shefin e Zyrës së Komisionit Evropian në Kosovë, Christofer Stock, sot kanë përuruar investimet e reja në Bodrumin e vjetër në Rahovec.
Përmes këtij investimi, të mbështetur nga BE-ja dhe MBPZhR-ja, ky bodrum ka avancuar teknologjitë, si dhe ka ndarë minigrante për vreshtarët e Rahovecit.
Me këtë rast, ministri Krasniqi, theksoi se sektori i verërave dhe rrushit padyshim janë një nga potencialet strategjike të Kosovës.
Pikërisht për këtë, ne kemi investuar shumë në këtë sektor deri më tani dhe edhe ju e dini se sa i përket subvencioneve kemi shumën me të lartë të përkrahjes në rajon. Po ashtu secili kultivues i rrushit dhe verës në vazhdimësi ka përfituar nga grantet e MBPZhR-së, tha ai, duke shtuar se edhe sivjet kanë planifikuar rritje të buxhetit dhe interesi i tyre është që të rriten sipërfaqet me kultivim të rrushit, qoftë tryezës dhe verës në veçanti.
Ministri Krasniqi, falënderoi BE-në jo vetëm për këtë mbështetje, por edhe mbështetjen në përgjithësi, dhe shumë të madhe që ka dhënë për bujqësinë.
Në anën tjetër, shefi i Zyrës së KE-së në Kosovë, Christofer Stock, tha se ky investim në këtë bodrum do ta ndihmojë jo vetëm verëtarinë, por të gjithë fermerët e kësaj ane.
Jemi në dijeni që vera e Rahovecit është duke u eksportuar edhe jashtë Kosovës dhe për të rritur eksportin e saj edhe më shumë është e rëndësishme që të arrihen standarde evropiane dhe këto investime do të ndihmojnë shumë në këtë, tha Stock.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, tha se investimet në këtë sektor janë të domosdoshme dhe me këtë rast ai shprehu falënderimet e tij për BE-në dhe MBPZhR-në, të cilat sipas tij po e përkrahin në vazhdimësi këtë sektor në këtë komunë.
Ndryshe, MBPZHR-ja, gjatë vitit 2013, Bodrumin e vjetër, e ka përkrahur përmes një granti invesitv në vlerë prej 180 mijë euro, për renovimin e objektit dhe blerjes së pajisjeve të reja për prodhimin e verërave.