Përkrahen projektet e grupeve lokale të veprimit
Prishtinë, 28 prill - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi ka pritur sot në një takim udhëheqëset e Rrjetit për Zhvillim Rural të Kosovës, me të cilët ka biseduar për projektet e kësaj ministrie për zhvillimin e projekteve lokale, të cilat janë përfshirë sivjet në kuadër të Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural të këtij viti.
Me këtë rast, ministri i ka njoftuar ata se përmes përkrahjes së këtyre projekteve, synojnë zhvillimin e zonave rurale dhe ngritjen e standardit jetësor në ato zona. Krahas kësaj, ai tha se grupet lokale të veprimit do të përkrahen edhe në aktivitete jobujqësore.
Po ashtu, ministri Krasniqi, i njoftoi ata lidhur me kriteret që kanë paraparë për këto projekte, ku masa mbështetëse për këto grupe pritet të shpallet në ditët në vijim.
Në anën tjetër, kryetari i Rrjetit për Zhvillim Rural të Kosovës, Mehdi Mulaj, tha se përkrahja e MBPZhR-së për projektet e këtyre grupeve ka ndikuar në zhvillimin ekonomik të zonave rurale.
Ai theksoi se kjo përkrahje është e domosdoshme, pasi që vetëm në këtë mënyrë po arrijnë të tejkalojnë sfida, të realizojnë vizionin e tyre dhe zbatojnë edhe strategjitë zhvillimore lokale.
Në këtë takim ministri Krasniqi dhe drejtuesit e këtij rrjeti u zotuan që të punojnë bashkërisht në të ardhmen për zbatimin e strategjive dhe planeve të përbashkëta.
Ndryshe, Rrjeti për Zhvillim Rural të Kosovës, është themeluar në vitin 2009 dhe në gjithë vendin operojnë mbi 30 grupe lokale të veprimit, të cilat gjatë viteve të fundit janë përkrahur përmes granteve nga MBPZhR-ja.