Përkrahen komunitetet minoritare në bujqësi
Prishtinë, 10 nëntor - Përkrahje për zhvillimin e veprimtarive bujqësore po marrin edhe fermerët e komuniteteve minoritare. Komuniteti RAE, i cili jeton dhe vepron në zonat rurale të komunës së Prizrenit dhe Pejës, është përkrahur me 9 670 euro nga Ministria e Bujqësisë.
Komuniteti boshnjak është përkrahur me 9 800 euro për kultivimin e frutave të malit, ndërsa komuniteti malazez është përkrahur me 9 750 euro në komunën e Zubin Potokut nga Ministria e Bujqësisë. Kjo përkrahje u është ofruar për shkak të gjendjes së rëndë në të cilën ndodhen dhe për shkak të pamundësisë së tyre për të përfituar nga skema e rregullt e programit vjetor.
Zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) kanë treguar se kjo përkrahje u është dhënë komuniteteve të zonave që nuk kanë përfituar më herët nga kjo ministri, për ti rritur mundësitë e tyre që të jenë më konkurrues dhe më aktivë në sektorin e bujqësisë në Kosovë.
Kemi mbi 1 000 fermerë minoritarë që arrijnë të përfitojnë mbi 500 mijë euro grande dhe subvencione nga skema e rregullt e përkrahjes sonë, mirëpo sivjet kemi filluar edhe forma të reja të përkrahjes në fokus grupe minoritare, ku njëra ndër to është edhe përkrahja që u është dhënë komuniteteve RAE, malazeze dhe boshnjake.
Pastaj, përkrahja që u është dhënë banorëve të zonave rurale më pak të zhvilluara dhe përkrahja që ua japim grupeve lokale të veprimit. Me këto masa jemi të fokusuar drejtpërdrejt në zhvillimin rural, por secili investim që bëhet në bujqësi dhe blegtori është investim edhe në zhvillimin rural, sepse këto veprimtari praktikohen në zona rurale, jo urbane, ka thënë zëdhënësi i MBPZHR-së, Adil Behramaj.
Ndërsa Slobodan Vujiçiq, kryetar i shoqatës së malazezve në Kosovë, ka treguar se përkrahja që kanë marrë nga MBPZHR-ja sivjet ka ndikuar në organizmin e fermerëve malazezë që jetojnë në zonat e thella rurale në veriun e Kosovës dhe në përgatitjen e tyre me infrastrukturë për të përfituar më shumë donacione në vitet e ardhshme.
Kjo shoqatë, sipas tij, nëpërmjet organizimeve të ndryshme është munduar që sadopak ti identifikojë kapacitetet që ka kjo pjesë për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë.
Kjo përkrahje ka qenë e mirëseardhur për fermerët malazezë të cilët jetojnë në veriun e Kosovës, ku kjo mbështetje financiare e ministrisë na ka mundësuar të jemi më afër fermerëve, si nëpërmjet këshillave, ashtu edhe nëpërmjet trajnimeve të ndryshme bujqësore që gjatë kësaj kohe i kemi realizuar në këtë zonë, ka deklaruar Vujiçiq.
Një prej çështjeve kruciale, e cila mund të sigurojë një qëndrueshmëri afatgjatë të komuniteteve minoritare në Kosovë, është mundësia e tyre për tu punësuar në sektorin e bujqësisë.
Ndërsa për komunitetin rom, ashkali dhe atë egjiptas mungesa e arsimimit shpeshherë paraqet edhe një problem esencial, e cila thuajse i minimizon gjasat e tyre për të gjetur punë në sektorë të tjerë.