Përgatitet edicioni i 11-të i panairit Agrokos & Ddrinks
Prishtinë, 17 tetor - CEO-Congress & Event Organization po bën përgatitjet për organizimin e edicionit të 11-të të panairit ndërkombëtar të Agrobiznesit, Ushqimit dhe Pijeve Agrokos & Ddrinks 2011 që mbahet në Prishtinë nga 26 deri më 29 tetor.
Panairi Agrokos & Ddrinks 2011 për një dekadë të tërë ka shënuar rritje konstante duke u bërë një vendtakim shumë i rëndësishëm me pjesëmarrës prominent të fushës së agrobiznesit, ushqimit dhe pijeve nga Kosova, vendet e rajonit, BE-së dhe më gjerë.
Në panair do të marrin pjesë kompani nga Kosova, vendet e rajonit, vendet e BE-së, Turqia etj. Gjatë panairit Agrokos & Ddrinks 2011 do të promovohen produkte të reja të cilat do të paraqiten para klientëve dhe publikut kosovar dhe vendeve të rajonit.
Edicioni i sivjemë i panairit Agrokos & Ddrinks 2011 do të zhvillohet në rrethana tregtare të reja të krijuara pas aplikimit të masave të reciprocitetit me Serbinë dhe heqjes së këtyre masave kohë më parë.
Këto zhvillime kanë ndikuar edhe në profilin e ekspozuesve dhe produkteve të reja të cilat do të prazantohen në panairin Agrokos & Ddrinks 2011 dhe të cilat pasqyrojnë një tendencë për të ndryshuar strukturën e mallrave prezente në tregun vendor.
Në anën tjetër, prodhuesit vendor si asnjëherë më parë kanë nevojë që të përfitojnë nga të gjitha instancat në mënyrë që prodhimet e tyre të promovohen dhe të jenë prezent sa më shumë në tregun kosovar dhe atë rajonal.
CEO-Congress & Event Organization si organizator i panairit, me qëllim të dhënjes së kontributit për fuqizimin dhe mbështetjen e prodhuesve vendor ka krijuar kushte dhe lehtësira të favorshme për pjesëmarrjen sa më të suksesshme të kompanive prodhuese vendore në panair.
Panairi Agrokos & Drinks 2011 do të adresojë çështje që kanë të bëjnë me trajtimin e aspekteve tregtare dhe rritjes së konkurrueshmërisë së prodhimit vendor në tregun Kosovar dhe më gjerë.