Përfunduan mbjelljet vjeshtore, 6 mijë hektarë grurë më shumë
Prishtinë, 26 nëntor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBZHR) ka bërë të ditur se kanë përfunduar mbjelljet vjeshtore të kulturave levërtare bujqësore.
Në bazë të raporteve të 32 drejtorive komunale bujqësore, gjithsej sipërfaqe të mbjella në vitin 2011 janë 90.503.6 hektarë me kultura levërtare.
Prej këtyre, 83.875 hektarë janë mbjellë me grurë, që krahasuar me vitin e kaluar më shumë janë rreth 6.000 hektarë, 3905 hektarë me elb, 921.6 me thekër dhe 1802 me bimë foragjere.
Kushtet e favorshme klimatike që kanë mbizotëruar kanë mundësuar që me kohë të përfundojnë mbjelljet vjeshtore, në përjashtim të kulturës levërtare të grurit që ka vazhduar të mbillet edhe pas afatit optimal.
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural nëpërmjet pagesave direkte edhe këtë vit do ti mbështes fermerët në mbjelljet e kulturës bujqësore të grurit me nga 100 euro për sipërfaqet që janë në përputhje me kriteret e përcaktuara në shpalljen publike.