22 Dhjetor 2024

Përfundon projekti i binjakëzimit me BE-në, në fushën e bujqësisë

Prishtinë, 11 maj - Përfundoi projekti i binjakëzimit të BE-së ”Përgatitje për zbatimin dhe menaxhimin e politikave të zhvillimit bujqësor dhe rural në Kosovë”.

Ministria e Bujqësisë, me rastin e përfundimit të këtij projekti, i cili u konsiderua nga të gjithë si mjaft i suksesshëm, sot organizoi një takim përmbyllës, ku në mënyrë më të detajizuar u prezantua puna e realizuar.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve administrative të MBPZHR-së, si dhe përafrimi i tyre me strukturat organizative të vendeve të BE-së.

“Qëllimi i këtij projekti ishte fuqizimi i kapaciteteve tona administrative, për t’i realizuar prioritetet e sektorit, si dhe për t’i reformuar metodat e koordinimit, monitorimit dhe menaxhimit të fondeve të zhvillimit rural, që na vihen në dispozicion përmes zbatimit të Planit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, si dhe përmes komponentit të ardhshëm të IPA-së për Zhvillim Rural”, tha ministri Stavileci.

Integrimi evropian është një sfidë e madhe për secilin vend që aspiron të integrohet, shtoi ministri Stavileci, por ne tashmë jemi në rrugën e duhur dhe në këtë rrugë nuk jemi vetëm, por së bashku me partnerët tanë evropian, të cilët çdo herë e më shumë janë duke vazhduar të na mbështesin.

Ndërsa, Franz Patschka, kryesues i këtij projekti, tha se objektivi i përgjithshëm i projektit ka qenë stimulimi i rritjes ekonomike, duke e ristrukturuar sektorin e bujqësisë, ushqimit, pylltarisë dhe atë rural, nëpërmjet zhvillimit dhe implementimit të politikave të reformuara të bujqësisë dhe zhvillimit rural.

“Gjatë vitit të kaluar janë bërë mjaft zhvillime pozitive në administrimin e sektorit bujqësor dhe tanimë në masë të gjerë është kuptuar edhe programi mbështetës, monitorimi, vlerësimi, implementimi dhe kontrolli e politikave bujqësore dhe zhvillimit rural. Strukturat kryesore të implementimit dhe politikëbërjes, siç janë Autoriteti Menaxhues, Komisioni Monitorues dhe Njësia e Pagesave, janë themeluar dhe janë duke funksionuar shumë mirë."

"Rreth 10.000 aplikacione të pagesave direkte dhe rreth 1,000 projekte të investimeve për zhvillimin rural janë paraqitur, proceduar, kontrolluar dhe në fund janë ekzekutuar me sukses në vitin e kaluar nga Njësia e Pagesave”, tha Patschka.

Projekti i binjakëzimit të BE-së ka filluar së implementuari në muajin gusht të vitit 2009-të dhe kohëzgjatja e tij ka qenë gjithsej 21 muaj.

Gjatë kësaj kohe, zyrtarët e MBPZHR-së i kanë realizuar 10 vizita studimore me gjithsej 168 ditë pune, si dhe 3 praktika me nga 30 ditë pune në Slloveni, Hungari dhe Austri.

Po ashtu, partnerët e binjakëzimit gjatë gjithë kësaj kohe i kanë mbështetur njësitë organizative të MBPZHR-së edhe me ekspertë të ndryshëm.

Partnerë të binjakëzimit në këtë projekt kanë qenë Ministria Federale e Bujqësisë, Pylltarisë, Mjedisit dhe Menaxhimit të Ujit e Austrisë, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural e Hungarisë dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit e Sllovenisë.

Ndërsa, institucione mbështetëse të projektit kanë qenë Ekipi për Zgjerim dhe Binjakëzim i KE-së dhe Zyra Ndërlidhëse e KE-së në Kosovë.



Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)