Përfundon me sukses fushata e korrje-shirjeve
Mitrovicë, 30 korrik - Ka përfunduar me sukses fushata e korrje-shirjeve në territorin e Komunës së Mitrovicës. Zyrtarët e Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural (DBZHR) thonë se rendimentet e grurit kanë qenë më të vogla krahasuar me vitin e kaluar për shkak te kushteve agroekologjike.
Drejtori i kësaj drejtorie, Bislim Imeri, tha se përkundër disa problemeve të vogla, këtë vit korrje-shirja ka qenë e suksesshme.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me Komisionin Komunal për fushatën e korrje-shirjeve të drithërave të bardha, vazhdimisht kanë qenë në terren duke u njoftuar me vështirësitë dhe problemet e fermerëve dhe autokombajnerëve që ballafaqoheshin në realizimin e procesit të korrje-shirjes, njëkohësisht duke ju ofruar mbështetje profesionale për zgjedhjen e problemeve dhe vështirësive të ndryshme.
Ai tha se në Komunën e Mitrovicës këtë vit kanë qenë të kultivuara gjithsej 930 ha grurë, 800 ha tërshërë dhe 45 ha elb. Korrje-shirjet kanë filluar me datën 06.07.2012 dhe kanë vazhduar deri me datën 25.07. 2012.
Drejtori Imeri, theksoi se procesi i korrje-shirjes përkundër disa problemeve të vogla është realizuar ashtu siç është hartuar dhe planifikuar nga Drejtoria e Bujqësisë dhe MBPZHR.
Është e rëndësishme të theksohet se në fillim me korrje kanë startuar 10 autokombajna, kurse më vonë numri i tyre është rritur në 20 sosh.
Ai tha se në bazë të dhënave nga terreni dhe analizave rendimenti mesatar në këtë vit ka qenë: 4000 kg/ha grurë, 2100 kg/ha tërshërë dhe 2400 kg/ha elb.
Për përfundim të suksesshëm të korrje-shirjeve përkundër kushteve agroekologjike kanë ndikuar disa faktorë: Ardhja e një numri të madh të autokombajnave nga komunat tjera, mandej puna në terren e komisionit komunal dhe Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural si dhe subvencionimi i MBPZHR për autokombajna me 25% më lirë për litër të naftës.