Përfundon aksioni i shpëtimit të arinjëve të murrmë
Prishtinë, 1 qershor - Të 13 arinjtë e murrmë të identifikuar e që mbaheshin të internuar në restoranet dhe minikopshtet e Kosovës, tanimë janë të vendosur në strehimoren afër liqenit të Badovcit.
Në mëngjesin e ditës së shtunë, u morën edhe të pesë arinjtë që mbaheshin në restoranin "Te Ariu" në Prishtinë.
Fondacioni Katër Putrat me seli në Austri dhe në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Mjedisit kanë filluar një mision shpëtimi për arinjë e murrmë që mbahen të internuar në restorane dhe minikopshte në Kosovë.
Strehimorja për mbajtjen e arinjëve të murrme të Kosovës është ngritur me qëllim të ofrimit të kushteve humane të jetesës për këta arinjë.
Specia ariu i murrmë është kafshë strikt e mbrojtur e natyrës së Kosovës, dhe lloj i kërcënuar të zhduket nga territori i Kosovës, andaj mbajtja e tyre në internim, apo vrasja janë të dënueshme me ligj.
Fillimisht, numri i arinjëve të murrmë të identifikuar në Kosovë ishte 15, mirëpo gjatë javës së kaluar dy arinjë të moshës njëvjeçare, të gjinisë mashkull, janë vrarë në mënyrë mizore nga disa persona, ndaj të cilëve tashmë është ngritur padi penale.