Përfundoi konferenca për të ardhmen e bujqësisë kosovare
Prishtinë, 15 qershor - Përfundoi konferenca dyditore E ardhmja e bujqësisë kosovare në perspektivën e zhvillimit ekonomik, e cila u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Kjo konferencë kishte për qëllim ti mbledh në një vend të gjitha palët e interesit në fushën e bujqësisë, për ti trajtuar problemet së bashku dhe për ti shqyrtuar mundësitë për tejkalimin e këtyre problemeve në një të ardhme të afërt.
I pranishëm në këtë konferencë ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, i cila tha se Qeveria është e përkushtuar që të zhvillojë potencialet ekonomike të vendit, duke u kushtuar rëndësi të veçantë përkrahjes dhe rritjes së sektorëve kyç, siç është bujqësia.
Gjatë mandatit tim të kaluar qeverisës, sektori i bujqësisë për herë të parë ka filluar të përkrahet në formë direkte nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne kemi shumëfishuar përkrahjen financiare për prodhimtarinë bujqësore, si dhe kemi krijuar infrastrukturë mbështetëse për zhvillimin e bujqësisë nëpërmjet investimeve kapitale, tha Kryeministri Thaçi, duke shtuar më tej se rritja e mbështetjes për bujqësinë ka vazhduar edhe gjatë këtij viti, kurse në planin ekonomik të viteve të ardhshme, duke u bazuar në vizionin dhe prioritetet e zhvillimit ekonomik, këtij sektori do ti ofrohet mbështetje shumë më e madhe financiare.
Ndërsa, ministri i MBPZHR-së z.Blerand Stavileci, tha se mundësitë janë të mëdha për përmirësimin dhe rritjen e aftësive konkurruese në sektorin e agrobiznesit dhe se proceset e deritanishme kanë ridimensionuar edhe prioritetet e donatorëve, duke e vendosë fokusin e tyre, jo vetëm tek nxitja e reformave, por edhe tek zhvillimi i kapaciteteve tregtare dhe prodhuese, për arritjen e një zhvillimi të qëndrueshëm dhe afatgjatë.
Bujqësia kosovare në të kaluarën ka qenë e orientuar më shumë nga prodhimi, por tani është duke u orientuar në masë më të madhe nga tregu, i cili vazhdimisht është duke ndryshuar. Modernizimi dhe strukturimi i bujqësisë është synimi ynë kryesor dhe si rrjedhojë e investimeve më të mëdha viteve të fundit, gjendja në sektor ka filluar të ndryshojë dhe prodhimtaria bujqësore gjithnjë e më shumë është duke u bërë më konkurruese me rajonin, tha ministri Stavileci.
Në kuadër të kësaj konference janë organizuar edhe tri tryeza të rrumbullakta me akterët kyç të sektorëve strategjikë të MBPZHR-së (sektori i drithërave, sektori i hortikulturës dhe sektori i blegtorisë/qumështit) dhe pas debateve konstruktive që janë zhvilluar, si problem që kërkon fokus më të madh institucional është përmendur edhe konkurrenca jolojale, e cila po i dëmton në masë të madhe prodhuesit vendor, për shkak të benifiteve që i gëzojnë prodhimet e importuara në vendin e tyre të origjinës, si subvencionime direkte apo indirekte.
Pastaj, fushatat promovuese për sensibilizimin e opinionit për rëndësinë e konsumimit të prodhimeve vendore, përkatësisht rritjen e fokusimit në përmirësimin e komunikimit dhe integrimin e interesave të përbashkëta ndërmjet konsumatorëve dhe prodhuesve vendor.
Ndërkaq, si probleme që në masë të madhe po ndikojnë në prodhimtarinë bujqësore janë potencuar edhe qasja e vështirë e fermerëve në kredi bujqësore, mungesa e subvencioneve për disa kultura bujqësore dhe buxheti i vogël i MBPZHR-së, norma e njëjtë e TVSH-së për prodhimtarinë primare, mungesa e fondit të rezervave shtetërore, etj.
Të pranishëm në konferencë ishin edhe përfaqësuesi i Bankës Botërore z. Ranjit Nayak dhe Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë znj. Azza El Abd, si dhe pjesëmarrëse kanë qenë edhe rreth 40 agrobiznese, të cilat gjatë gjithë kohës i kanë ekspozuar prodhimet tona vendore.
Në ditën e dytë të konferencës, për të shikuar për së afërmi punën e ndërmarrjeve agrobiznesore janë realizuar edhe disa vizita në terren, përkatësisht janë vizituar kompanitë agrobiznesore MOEA, ASK dhe Konson në regjionin e Gjilanit.