23 Dhjetor 2024

Për dy vjet u prodhuan 1.3 milion fidanë

Prishtinë, 17 dhjetor - Prodhimtaria e materialit fidanor në vendin tonë ka shënuar rritje nga viti në vit. Në rritjen e saj në masë të madhe është duke ndikuar edhe kërkesa e fermerëve për materialin fidanor, i cili tash e sa vjet po prodhohet në përputhje me standardet e kërkuara me ligjin për këtë prodhimtari.

Në bazë të të dhënave që posedon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vendin tonë që nga viti 2010 deri në vitin 2012 fidanishtet vendore kanë prodhuar rreth 1.3 milion fidanë të pemëve me nënshartesa gjenerative e vegjetative dhe i gjithë ky material fidanor është prodhuar dhe shumëzuar nga varietetet më të mira të përfituara nëpërmjet seleksionimit klonal, të kultivuara në nënshartesa të përshtatshme, duke garantuar kështu prodhimtarinë cilësore në vendin tonë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj, ka deklaruar se prodhimtarisë fidanore i kushtojnë kujdes të veçantë, sepse vetëm në këtë mënyrë garantohet produktiviteti i pemishteve të ardhshme. “Prodhimtaria e materialit fidanor në Kosovë është shtuar sidomos gjatë dy vjetëve të fundit, ku vetëm gjatë këtij viti rreth 45 fermerë kanë arritur të prodhojnë mbi 500 mijë fidanë të pemëve.

Kjo prodhimtari po ndikon edhe në zhvillimin e pemëtarisë intensive, e cila është e kushtëzuar nga prodhimtaria kualitative dhe e standardizuar me material fidanor, nga varietetet me të mira të përfituara nëpërmjet seleksionimit klonal, të zhvilluara mirë, të shëndosha dhe të testuara ndaj sëmundjeve dhe dëmtuesve të ndryshëm”, ka pohuar Behramaj.

Ai ka shtuar se prodhimtaria e materialit fidanor të pemëve në Kosovë favorizohet edhe nga kushtet klimatike, që janë të përshtatshme për rritjen dhe prodhimin cilësor të tyre dhe viteve të fundit, sipas tij, është rritur në mënyrë të dukshme edhe interesimi i fermerëve për regjistrimin e fidanishteve dhe për shtimin e sipërfaqeve të tyre.

Se prodhimtaria e materialit fidanor po shtohet nga viti në vit tregojnë edhe kultivuesit e fidanëve. Adem Sylejmani nga fshati Zhegoc i komunës së Gjilanit, i cili është njëri nga prodhuesit e fidanëve të pemëve, tregon se në çdo vit e ka shtuar prodhimtarinë e fidanëve, pasi edhe kërkesat për to janë rritur. Tashmë ai ka një sipërfaqe prej dy hektarësh ku i kultivon fidanët vegjetativë.

“Në fidanishten time prej dy hektarësh prodhoj deri në 14 mijë fidanë, ku 95 për qind e kësaj prodhimtarie janë fidanë të mollës, ndërsa pjesa tjetër janë fidanë të kumbullave, dardhës dhe qershisë”, ka theksuar Sylejmani.


Shitjen e këtyre fidanëve Sylejmani e bën në tregjet e rajonit të Gjilanit, por në të shumtën e rasteve prodhon edhe me porosi të fermerëve. Ai tregoi se ka marrë përkrahje edhe nga Ministria e Bujqësisë, e cila i kishte mundësuar atij përmirësimin e infrastrukturës përcjellëse në fidanishte.


Fidanishte të regjistruara në Ministrinë e Bujqësisë janë gjithsej 45 sosh, nga të cilat vetëm gjatë këtij viti janë prodhuar rreth 517 mijë fidanë.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)