Për 4 vite mund të vihen nën kontroll të gjithë qentë endacak
Për dështimin e vënies nën kontroll të qenve endacak përveç buxhetit të pamjaftueshëm ata konsiderojnë se me këtë çështje nuk janë marrë persona profesionist.
Oda Veterinare e Kosovës thotë se për 4 vite mund të jenë nën kontroll të plotë qentë endacak.
Trajtimi i qenve endacak sipas metodës CNVR të lartcekur pamundëson rritjen e popullacionit përmes reproduktimit të tyre dhe për një kohë prej 4-5 vite do ti kemi plotësisht nën kontroll qentë endacak, thekson OVK në një deklaratë për opinionin publik pas alarmit se qytetarët në shumë pjesë të vendit janë të rrezikuar nga qentë endacak.
Për të arritur këtë sipas tyre duhet që me trajtimin e qenve endacak të merren personat profesional dhe të përgjegjshëm, në këtë rast veterinarët gjegjësisht Praktikat Veterinare të licencuara nëpër komunat përkatëse.
Duhet të filloj trajtimi i qenve endacak në të gjitha komunat dhe të mos jetë numri dhe koha e kufizuar (të trajtohen të gjithë qentë endacak gjatë gjithë vitit). Po ashtu duhet të identifikohen dhe të regjistrohen qentë me pronarë, thekson OVK.
Gjithashtu ata rekomandojnë që nga niveli qendror tu jepen mjete shtesë të gjitha komunave sipas nevojës dhe të ketë monitorim adekuat dhe rigoroz nga organet kompetente tek kontraktuesit për trajtimin e qenve endacak.
OVK vazhdimisht do të jetë pjesë aktive dhe do të bashkëpunoj më të gjithë akterët tjerë të interesuar për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Do të organizojmë seminare dhe trajnime për trajtimin e qenve endacak në mënyrë që të gjithë veterinarët ti trajtojnë qentë endacak në mënyrë profesionale dhe në përputhje të plotë me ligjet në fuqi.
Oda Veterinare e Kosovës për vite të tëra është angazhuar për trajtimin e qenve endacak në mënyrën më të mirë të mundshme duke u bazuar edhe në praktikat e mira të vendeve tjera që kanë trajtuar qentë endacak.
Jemi të angazhuar edhe në hartimin e Rregullores për licencimin e strehimoreve për qentë endacak, e cila pritet që të aprovohet në fillim të vitit të ardhshëm. Së fundi kemi lëshuar një komunikatë për të njoftuar publikun me qëndrimet tona në lidhje me këtë çështje.
OVK thotë se është e vetëdijshme që vendi ynë ka nevojë për zgjidhje urgjente, efikase dhe të sigurt për trajtimin e qenve endacakë dhe mbi të gjitha insistojmë që kjo zgjidhje të jetë humane, të mos jetë në kundërshtim me vlerat, etikën profesionale dhe reputacionin shoqëror. Ata thonë se përkrahin çdo masë të trajtimit të këtij problemi duke u bazuar në metoda shkencëtarisht të vërtetuara , në principe dhe norma juridike.
Duke u bazuar në këtë, mendojmë se metoda CNVR (catch, neuter, vaccinate, return) është metoda më e mirë, më efikase, e vetme dhe e duhur në situatën në të cilin gjendemi. Kjo formë e trajtimit nënkupton kapjen , kastrimin (sterilizimin), vaksinimin, trajtimin kundër parazitëve dhe kthimin e qenve të shëndoshë që nuk paraqesin rrezik për as kë në vendin ku ata janë kapur.
Disa komuna sipas tyre e kanë aplikuar këtë metodë të trajtimit të qenve endacak, mirëpo nuk kanë dhënë rezultate të dëshirueshme për arsye se numri i qenve ka qenë i kufizuar (për aq sa kanë pas buxhet).
Po ashtu nuk është bërë trajtimi i qenve endacak në të gjitha komunat (lëvizja e qenve të pa trajtuar nga komunat tjera) dhe i identifikimi dhe regjistrimi i qenve me pronarë.
Çështje tjetër e rëndësishme në mos suksesin e trajtimit të qenve endacak në përgjithësi është angazhimi i disa organizatave joqeveritare joprofesionale për këtë çështje, të cilat kanë angazhuar persona jo profesionist. Numri i qenve që mund ti trajtojnë është shumë i ulët. Mbi të gjitha që na ka sjell në këtë gjendje është mos zbatimi i Ligjit për identifikimin dhe regjistrimin e qenve me pronar nga të gjitha Kuvendet Komunale. Ky ligj është në fuqi që nga viti 2012 dhe parasheh mbulimin e shpenzimeve për 3 vite nga KK.