PD: Qeveria të bëjë kompensimin ligjor të prodhuesve të rrushit
Prishtinë, 19 shtator - Duke shprehë keqardhje për qytetarët dhe policët e lënduar dhe duke dënuar aktet e dhunës që ndodhën me rastin e protestës së vreshtarëve të Rahovecit, Partia e Drejtësisë vlerëson se kjo situatë është dashtë që domosdo të evitohet, duke pasur parasysh se bëhet fjalë për sektor të prodhimtarisë bujqësore me rëndësi strategjike për vendin.
Abdullah Klinaku, Sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Drejtësisë (PD) ka thene se partia e tij propozon që situata e tanishme të trajtohet si situatë emergjente e shkaktuar me faktorë të ndryshëm ndër të cilët edhe politik, dhe që në bazë të këtij vlerësimi Qeveria e Kosovës të bëjë kompensimin ligjor të prodhuesve të rrushit për prodhimin që cenon të dëmtohet pa kthim.
Njëkohësisht sipas tij qeveria e duhet që me prioritet të kërkojë ndihmë jashtë vendit për situatën e krijuar nëpërmjet shfrytëzimit të të gjitha kanaleve të komunikimit ndërkombëtar në sektorin e tregtisë.
\"Krahas përkrahjes së plotë të parimeve të ekonomisë së tregut Partia e Drejtësisë thekson se është kategorikisht kundër zbatimit selektiv të këtyre parimeve siç është rasti me situatën konkrete me prodhuesit e rrushit që janë viktima të drejtpërdrejta të diskriminimit politik të Kosovës dhe të prodhuesve të saj bujqësor me moszbatimin e Marrëveshjes për Tregti të Lirë në Evropën Qendrore, CEFTA, nga ana e disa shteteve anëtare të kësaj Marrëveshje\", ka deklaruar Klinaku.
Në këtë kontekst sipas tij duhet shqyrtuar edhe përgjegjësia politike e faktorëve ndërkombëtar në Kosovë dhe në Bashkësinë Evropiane për situatën e krijuar, që ndërmjet të tjerave është edhe rezultat i tolerimit të palejueshëm shumëvjeçar të këtij diskriminimi politik.
Vazhdimi i tolerimit të këtij diskriminimi të hapur që është në kundërshtim të plotë me parimet e ekonomisë së tregut dhe njëkohësisht mosndjeshmëria ndaj problemeve të prodhuesve bujqësor nën arsyetimin e respektimit të parimeve të ekonomisë së tregut sipas Klinakut cenon në mënyrën më serioze besimin e prodhuesve vendor në politikat e Qeverisë për stimulimin e prodhimit vendor, me pasoja të paparashikueshme për zhvillimin e sektorit të bujqësisë.