Pasurimi i miellit me hekur, obligim ligjor i mullisëve
Prishtinë, 1 korrik - Me organizimin e UNICEF-it në Kosovë dhe projekt menaxherit Agron Gashi, organizata \"Konsumatori\" ka vizituar Institutin e Bujqësisë në Pejë dhe Fabrikën e miellit M&Sillosi në Xërxë për t\'u njohur rreth kualitetit të miellit.
Në këtë vizitë kanë prezantuar edhe kryetari i Shoqatës së Mullisëve të Kosovës, Muhamet Farizi, pastaj Ismet Fejzullahu, inspektor fitosanitar.
Ata kanë biseduar për gatishmërinë e përmbushjes së obligimeve ligjore rreth pasurimit / fortifikimit të miellit me acid folik e hekur dhe arritjen e ngritjen e kënaqëshmërisë së qytetarit konsumator taksapagues në këtë sektor.
IBP e M&Sillosi janë shprehur të gatshëm të angazhohen në përmbushjen e detyrimeve ligjore.
\"Sipas të dhënave të disponueshme, nga mostrat e testuara gjatë vizitës, shihet se mielli i importuar nuk është pasuruar në mënyrë të drejtë dhe cilësore gjë që kërkon shqyrtim e adresim korrekt e serioz\", thuhet në një komunikatë të organizatës Konsumatori.
Sipas këtyre shënimeve del se rreth 50% e miellit të importuar është i pasuruar me acid folik e me hekur dhe se në ngritje është edhe mielli i prodhuar në Kosovë.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës i ka njoftuar me kohë të gjithë importuesit se nuk do të lejojë hyrjen e miellit nëse ai nuk është i pasuruar / fortifikuar me hekur dhe me acid folik.
Inspektorati fitosanitar ka paralajmëruar se do të bëjë kontrollet e rregullta dhe pa paralajmërim të mullisëve - që nga 1 korriku. Ato do të kontrollohen nëse janë furnizuar ose jo me premiksa dhe nëse nuk e bëjnë pasurimin e miellit me to do të procesojnë me fletëparaqitje.