OAK dhe bizneset e sektorit minerar kërkojnë hapa konkret nga MBPZHR
Prishtinë, 16 maj - Koordinimi lidhur me hapat e nevojshëm që do të ndërmarrim si pasojë e mosreagimit të Ministres së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR-së) Dijana Zhiviç lidhur me ndryshimin e udhëzimeve administrative të cilat kufizojnë Tokën me kohëzgjatje deri max 5 vjet, sipërfaqen max 5 hektar dhe çmimi prej 2000 euro për hektar në vit, ishin tema kryesore e takimit të përbashkët të realizuar nga bizneset e sektorit minerar në Odën e Afarizmit të Kosovës.
Kryetari i Bordit të Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi theksoi të gjitha aktivitetet e deritanishme që janë ndërmarr nga OAK në bashkëpunim me bizneset, me qëllim të arritjes së krijimit të lehtësirave për këtë sektor, duke shtuar që të gjitha këto takime u realizuan me qëllim të ndryshimit të udhëzimeve administrative që po pengojnë zhvillimin e bizneseve të këtij sektori dhe njëkohësisht po largojnë investitorët e huaj.
Përfaqësuesit e bizneseve të sektorit minerar, shprehën shqetësimin e tyre, duke kërkuar nga Ministrja Zhiviç që të kthej përgjigje, ashtu siç ka premtuar në takimin e fundit të realizuar, që deri më datën 02.05.2019 do të njoftojë në lidhje me veprimet që do të ndërmarr, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Si rrjedhojë, bizneset u zotuan që do t’i përdorin të gjitha metodat ligjore për të ndryshuar këto udhëzime, të cilat do të lejojnë lulëzimin e një nga sektorët më me potencial në vend, në të kundërt do të realizojnë edhe protesta para Ministrisë dhe Qeverisë së Kosovës