Norvegjia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën
Ministri Krasniqi e përgëzoi ambasadorin për punën dhe mbështetjen që ka dhënë për institucionet e Kosovës për disa vjet në shërbim dhe e uroi për detyrën e re, si Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Në këtë takim ministri Krasniqi e informoi ambasadorin për të arriturat dhe sfidat në bujqësi, duke theksuar potencialin e madh që ka ky sektor për zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Ai përmendi se në dy vitet e fundit investimet në bujqësi janë rritur, duke bërë që të rritet prodhimi në shumë kultura bujqësore si dhe të hapen vende të reja të punës.
Në këtë drejtim ai theksoi se kanë kontribuar edhe donatorët ndërkombëtarë, dhe për këtë falënderoi ambasadorin e Norvegjisë për mbështetjen e dhënë në projekte të ndryshme që lidhen me bujqësinë.
Nga ana e tij, ambasadori Braathu vlerësoi të arriturat në bujqësi dhe fokusin që i ka dhënë Qeveria e Kosovës në programin e saj.
Ai tha se Norvegjia do të vazhdojë të mbështesë Kosovën në shumë fusha, e po ashtu edhe ai në detyrën e re do të vazhdojë të ndihmojë institucionet e Kosovës në avancimin e politikave.