Njëzet mijë fidanë për KEK-un
Prishtinë, 18 nëntor - Rreth 10 hektarë sipërfaqe e lënë djerrinë dhe hi, do të pyllëzohet gjatë kësaj vjeshte me 20 mijë fidanë të llojit pishë e zezë, pajë dhe bung.
E pyllëzimi i kësaj sipërfaqe, do të mundësohet falë një memorandumi të mirëkuptimit, të cilin e kanë nënshkruar Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Korporata Energjetike e Kosovës, të cilat do të angazhohen që në sipërfaqet e përgatitura nga korporata, që janë pronë e saj, të rikultivojnë djerrinën që paraqet pjesën integrale të operimeve minerale.
Për pyllëzimin e sipërfaqeve djerrinë dhe atyre hi, Agjencia Pyjore e Kosovës, e cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, ofron 10 mijë fidanë të llojit pishë e zezë, 5 mijë fidanë pajë dhe 5 mijë fidanë për tokat e përgatitura për rikultivim nga KEK-u.
Ministria e Bujqësisë, përkatësisht agjencia jonë pyjore, për të zgjeruar sipërfaqet e pyllëzuara, pas rikthimit të tokave djerrinë dhe hi, të cilat janë përgatitur për rikultivim, ka ofruar rreth 20 mijë fidanë si donacion, që do të mbillen në një sipërfaqe, e cila nuk është pyllëzuar për shkak të mjeteve financiare deri më tash, tregon zëdhënësi i Ministrisë së Bujqësisë, Adil Behramaj.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), do të përkujdeset për fidanët e mbjellë dhe për mirëmbajtjen e tyre gjatë tërë kohës.
Ndërsa, pyllëzimi në sipërfaqet e përgatitura për rikultivim në këtë koporatë, sipas mundësive, do të vazhdojë edhe gjatë viteve të tjera.