Nis vjelja e mollëve në komunën e Istogut
Prishtinë, 23 shtator - Në fshatin Kovragë të komunës së Istogut, duke i paraprijë edhe organizimi i manifestimit tradicional Dita e mollës, ku pjesëmarrës ishin përfaqësuesit më të lartë institucional nga qeverisja qendrore dhe lokale, sot ka filluar edhe zyrtarisht vjelja e mollëve.
Manifestimi tradicional për fillimin e vjeljes së mollëve në këtë regjion është organizuar nga Ministria e Bujqësisë, komuna e Istogut dhe shoqata Pema nga Kovraga.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se sipërfaqet e mbjella dhe prodhimtaria e lartë e mollës e bën këtë pjesë të identifikohet me këtë kulturë bujqësore, por që në nivel vendi ka edhe shumë hapësirë për ti rritur kapacitetet prodhuese të mollës dhe për ti plotësuar kërkesat në tregun e brendshëm.
Gjatë këtij viti, ashtu siç edhe ju kam premtuar, ne kemi punuar në zgjidhjen e njërit nga problemet me të mëdha që kemi pasur me qendrat e grumbullimit dhe depot ruajtëse e ftohëse, të cilat pastaj lidhen edhe me pjesën tjetër të kalibrimit të produkteve, ambalazhimit dhe në përgjithësi marketingut të produkteve bujqësore.\"
Tashmë jemi në përfundim të dizajnimit të projektit për ngritjen e tyre dhe në verën e vitit të ardhshëm ato do të finalizohen dhe do të jenë funksionale. Ndërsa, për tju ofruar fermerëve edhe mundësi tjera të financimit, ne jemi duke punuar edhe në lehtësimin e qasjes në kredi bujqësore dhe për vitet e ardhshme do ta kemi edhe një program të veçantë financimi, potencoi ministri Stavileci.
Ai tha se bujqësia është profesioni më i mirë, më i vjetër dhe më i ndershëm dhe të gjithë ne kemi detyrime dhe obligime shtesë për ta revitalizuar këtë sektor.
Kryetari i komunës së Istogut, Haki Rugova, tha se është tepër e rëndësishme që Qeveria e ka përfshijë si prioritet në agjendën e saj sektorin e bujqësisë. Po ashtu edhe në nivelin lokal është dyfishuar buxheti për këtë sektor tha ai.
Ndërsa, Safet Blakaj nga shoqata e mollëve Pema, tha se gjatë katër viteve të fundit kanë pasur rritje prej rreth 25 për qind në prodhimtarinë e mollëve.
Si rezultat i investimeve të Ministrisë së Bujqësisë në ngritjen e sipërfaqeve të reja të mollës dhe në sistemin e ujitjes pikë-pikë, si dhe shitjes së produkteve tona në rrjetin e shitjeve me pakicë të ETC-së, ne kemi arritur ti zgjerojmë fushat dhe të ngrisim cilësinë e produkteve tona, tha Blakaj, i cili së bashku me pronarin e kompanisë Elkos Group dhe njëherësh deputetin Ramiz Kelmendi, e vazhduan edhe për një vit marrëveshjen që kishin deri më tani për shitblerjen e mollëve të tyre.
Për të rritur prodhimtarinë e pemëve, pothuajse në çdo vit mbillen 100-150 hektarë me pemë dhe prej tyre 40 deri në 50 hektarë mbillen kryesisht vetëm me mollë.
Mirëpo, ritmet e mbjelljeve të reja mbeten akoma të ulëta krahasuar me nevojat e vendit dhe i vogël mbetet poashtu edhe konsumi i mollëve krahasuar me vendet e rajonit.