Nis pyllëzimi i rreth 300 hektarëve tokë pyjore
Prishtinë, 16 tetor - Në vazhdën e aktiviteteve të shumta që janë duke u zhvilluar nga Agjencia Pyjore e Kosovës, edhe në vjeshtën e këtij viti është filluar projekti i përvitshëm, ,,Pyllëzimi i sipërfaqeve të zhveshura dhe mirëmbajtja e tyre edhe për dy vite në vazhdim.
Ky projekt është duke u financuar nga MBPZHR - Agjencia Pyjore e Kosovës dhe është duke u implementuar nga dy kompani që janë kontraktuar. Sipërfaqja e përgjithshme e planifikuar për pyllëzim është 295 hektar e ndarë në 3 Llote të ndryshme në të gjithë Kosovën.
Edhe këtë vit fidanët për pyllëzimin e këtyre sipërfaqeve janë marrë nga Fidanishtja pyjore që gjendet në fshatin Araberd të Istogut, e që është pjesë e Agjencisë Pyjore të Kosovës. Punimet janë duke u monitoruar nga Agjencia Pyjore e Kosovës, në bashkëpunim edhe me Autoritetet Pyjore Komunale.
Projekti vetëm për pyllëzim ka filluar me datë 1 Tetor 2016 dhe pritet të përfundoj deri me 15 Nëntor 2016, ndërsa mirëmbajtja e tyre do të bëhet deri në fund të vitit 2018.
Po ashtu me kërkesën e Komunës së Fushë-Kosovës, Agjencia Pyjore e Kosovës i ka ofruar një numër prej 25.000 fidanësh falas, për pyllëzimin e një sipërfaqe prej 10 hektar.
Ndërsa projekti i dytë që është duke u implementuar nga APK-ja, është edhe ai i ,,Mirëmbajtjes së pyllëzimeve të realizuara në vjeshtën e vitit 2015.
Edhe ky projekt është duke u financuar nga MBPZHR - Agjencia Pyjore e Kosovës, dhe sipërfaqja e përgjithshme që duhet të mirëmbahet është 172 hektar.
Punimet janë duke u zhvilluar nga një kompani e vetme, e cila është përgjegjëse për mbarëvajtjen e këtij projekti deri në fund të vitit 2017.