Nis mbëltimi i 5 mijë fidanëve në Mitrovicë
Mitrovicë, 19 prill - Rreth 100 ushtarë të FSK-së dhe 50 nxënës të shkollave të mesme të Mitrovicës, kanë nisur të premten mbëltimin e rreth 5 mijë fidanëve të reja (pisha) në afërsi të fshatit Koshtovë.
Ky projekt ka nisur si simbolikë e aktiviteteve që do të organizohen në kuadër të Ditës së Tokës-22 Prillit.
Në këtë aktivitet që është organizuar nga Ministria e Mjedisit më mbështetje të asaj të Bujqësisë, Arsimit dhe Komunës së Mitrovicës, pos zyrtarëve të lartë të ministrive të ndryshme, ishte i pranishëm edhe zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli dhe kryetari i komunës, Avni Kastrati.
Të dy kanë vlerësuar lartë rëndësinë e madhe të projekteve që kanë të bëjnë me përmirësimin e mjedisit.
Zëvendësministri Veseli, tha se Mitrovica nuk është përzgjedhur rastësisht për të realizuar këtë projekt.
Duke qenë se Mitrovica ka trashëguar një gjendje të rëndë të mjedisit është vendosur që pikërisht këtu të ndihmohet me projekte të kësaj natyre.
Ai tha se FSK-ja është e gatshme të ndihmoj në çdo aspekt që ka të bëj me përmirësimin e kushteve të jetës.
Ndërsa kryetari i komunës, Avni Kastrati, tha se Mitrovica ka nevojë të madhe për mbështetje në fushën e mjedisit.
Ne kemi trashëguar një gjendje të rëndë në fushën e mjedisit, prandaj i mirëpresim projektet e këtilla.
Ai tha se Komuna e Mitrovicës është duke punuar në përmirësimin e situatës aktuale, mirëpo projektet e kësaj natyre janë shumë të kushtueshme.
Viteve të fundit janë realizuar projekte të ndryshme që kanë të bëjnë me ambientin, mirëpo nevoja ende mbetet e madhe për investime në këtë drejtim.