Nis fushata e vaksinimit nga ajri të kafshëve të egra kundër tërbimit
Prishtinë, 14 tetor - Autoriteti i Aviacionit Civil i Kosovës ka bërë të ditur se nga sot deri më 24 tetor në territorin e Republikës së Kosovës, do të zhvillohet fushata e vaksinimit nga ajri të kafshëve të egra kundër tërbimit.
Kjo fushatë zhvillohet në tërë Ballkanin Perëndimor si pjesë e iniciativës rajonale të kontrollit të kësaj sëmundjeje tek kafshët, prandaj do të ketë edhe fluturime të aeroplanëve afër zonave kufitare të Republikës së Kosovës.
Kjo fushatë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, do të zbatohet me një procedurë moderne e cila garanton vaksinimin e sigurt të kafshëve të egra, kurse i gjithë procesi i shpërndarjes së vaksinimit do të realizohet përmes ajrit dhe në mënyrë të kontrolluar nëpër të gjitha zonat malore, duke përjashtuar qendrat urbane dhe sipërfaqet ujore.