Nis fushata e korrje-shirjeve, priten rendimente më të larta
Prishtinë, 1 korrik - Komisioni për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve ka mbajtur sot mbledhjen e parë për këtë vit, me çrast ka diskutuar për përgatitjet që po bëjnë komunat dhe fermerët kultivues të drithërave për nisjen e korrje-shirjeve.
Në takim u tha se tashmë fushata ka nisur me një intensitet të lehtë në Suharekë dhe Prizren dhe në ditët në vazhdim pritet të fillojë edhe në komunat e tjera.
Gjithashtu, sipas informatave që komisioni ka marrë nga komunat, janë diku rreth 90 mijë hektarë të kultivuara me drithëra dhe rreth 84500 prej tyre vetëm grurë.
Këtë vit, për shkak edhe të kushteve atmosferike dhe por edhe një kujdesi më të shtuar të fermerëve gruri është në gjendje të mirë dhe pritjet janë që rendimentet të jenë më të larta sesa në vitin e kaluar.
Komisioni ka bërë apel tek komunat që ende nuk kanë nisur fushatën e korrje-shirjeve, këtë ta bëjnë me kujdes, pasi të kenë parë se gruri ka arritur pjekjen e mjaftueshme.
Në rekomandimet e veta po ashtu komisioni ka kërkuar nga komunat që të apelojnë tek fermerët që pas korrjes të mos digjen hamulloret, pasi kjo mund të dëmtojë tokën, por edhe rrezikon kultura të tjera bujqësore apo në raste të caktuara edhe pyjet.
Komisioni po ashtu ka diskutuar edhe çështjen e subvencioneve për grurë.
Në këtë takim u konstatua se për shkak të numrit rekord të aplikimeve, mungesës së kapaciteteve njerëzore dhe teknike të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë për të kryer me kohë kontrollet në terren, ka pasur vonesa në përgatitjen e plotë të dosjeve për pagesë.
Por, u tha se AZHB po punon me shumë përkushtim që sa më shpejt për fermerët aplikues pagesat për grurë të procedohen.