22 Dhjetor 2024

Nga 464.800 hektarë tokë pyjore, 278.880 tokë publike

Prishtinë, 10 maj - Për tu njoftuar mbi gjendjen e pyjeve në Kosovë, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor, në takimin e sotëm ka ftuar kryeshefin e Agjencisë së Pyjeve të Kosovës (APK), Ahmet Zejnullahun, drejtorin e Departamentit të Pylltarisë, në MBPZHR, Hysen Abazin dhe drejtorët e departamenteve të pylltarisë të disa komunave.

Fillimisht, kryetari i Komisionit Hasani, i falënderoi të pranishmit për gatishmërinë e tyre që të njoftojnë nga afër anëtarët e Komisionit për gjendjen e pyjeve.

Ruajtja e pyjeve paraqet  problem shqetësues jo vetëm për Komision, andaj në kërkim të zgjidhjes sa më të mirë të kësaj çështje dhe koordinimit më efikas, diskutimet e këtij takimi do të jenë të mirëseardhura, tha kryetari i Komisionit, Nait Hasani.

Ai, po ashtu shprehu bindjen e tij se nga ky takim do të dalin rekomandime të rëndësishme për draftimin e Ligjit për pyje.

Ndërkaq, kryeshefi i APK-së, Ahmet Zejnullahu, duke dhënë një pasqyrë mbi punën e këtij Agjencioni, sukseset dhe sfidat e tij tha se APK-ja gjatë vitit 2003-2004 ka bërë Inventarizimin e pyjeve në Kosovë.

Me këtë rast, tha ai, ka rezultuar se Kosova ka 464.800 hektarë(ha) toka pyjore, nga të cilat 278.800 ha janë klasifikuar si toka pyjore publike (shtetërore) dhe 185.920 ha tokë pyjore private. 

Duke paraqitur Planin Vjetor operacional të Agjencionit për vitin 2011, të miratuar më 27 janar të këtij viti, ai tha se ndër çështjet më të rëndësishme është mbrojtja e pyjeve nga prerjet ilegale dhe mbrojtja e pyjeve nga zjarret. 

Lidhur me këtë, ai foli në hollësi për planet që ka hartuar Agjencioni për punë sa më efikase.

“Për mbrojtjen e pyjeve nga prerjet ilegale, janë vendosur pika permanente të kontrollit. Në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe komunat këto pika janë vendosur në: Grykën e Deqanit, Grykën e Rugovës, Grykën e  Lloqanit dhe në Kaqanik”, tha Zejnullahu, dhe shtoi se së shpejti do të vendosen pikat e kontrollit edhe në Komunën e Podujevës dhe Mitrovicës.

Ndërkaq, drejtorët e departamenteve të pylltarisë nga komunat: Prishtinë, Kamenicë, Gjilan, Shtërpcë, Deqan, Pejë dhe Podujevë, vunë në pah gjithë sfidat që i përcjellin komunat për ruajtjen dhe menaxhimin e pyjeve.

Ata, unanimisht konstatuan se me kalimin e kompetencave komunave (nga korriku i vitit të kaluar), ruajtja e pyjeve është shumë më e mirë, duke ulur dëmet deri në 70 për qind në disa Komuna, thanë ata.

Duke folur për problemet që i përcjellin komunat gjatë ruajtjes dhe menaxhimit të pyjeve, përfaqësuesit nga këto komuna vunë theksin mbi mungesën e Ligjit adekuat që mbulon këtë problematikë.

Po ashtu, ata folën për gjendjen e keqe të rojeve të pyllit, për siç thanë ata, paga që nuk ua mbulojnë shpenzimet elementare të familjes. Ata theksuan nevojën që rojet e pyjeve edhe të armatosen.

Përfaqësuesit e këtyre komunave bënë një varg kritikash në adresë të gjykatave kompetente të cilët thanë ata, lëndët e kësaj natyre nuk i procedojnë me kohë.

Pas diskutimeve, anëtarët e Komisionit sygjeruan të pranishmit që rekomandimet, t’ua dërgojnë edhe me shkrim në Komision për t’i proceduar dhe futur si amendamente në Projektligjin për pyjet.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)