Nga 1 janari do të ketë lehtësira për prodhuesit e qumështit
Prishtinë, 13 nëntor - Në përputhje me premtimet e dhëna dje në takim me prodhuesit e qumështit, kryeministri Ramush Haradinaj ka njoftuar për veprimet që do të ndërmarrë Qeveria e Kosovës për ofrimin e lehtësirave doganore për prodhuesit e qumështit në Republikën e Kosovës.
“Jemi të angazhuar që t’i mbrojmë interesat e të gjithë prodhuesve dhe përpunuesve vendorë, dhe në funksion të këtij angazhimi nga 1 janari i vitit të ardhshëm prodhuesit dhe fermerët do të lirohen nga dogana dhe akciza për pajisjet dhe makineritë që përdoren në sektorin e prodhimit të qumështit”, tha kryeministri Haradinaj në takim të serishëm me përfaqësues të këtij sektori, të udhëhequr nga Besim Kuqi.
Njëkohësisht do të shikohen të gjitha mundësitë për donacione si dhe të rishqyrtohen subvencionet qeveritare, që nga to të përfitoj edhe ky sektor.
Në takimin e sotëm që kryeministri ka zhvilluar me delegacionin e prodhuesve të qumështit ishte edhe ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo.