22 Dhjetor 2024

Nënshkruhet memorandum për sektorin e qumështit

Prishtinë, 25 nëntor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit, Shoqata e Prodhuesve të Qumështit dhe Shoqata e Përpunuesve të Qumështit të Kosovës, organizata Solidar Suisse dhe Programi për Ndërmarrje Private i USAID-it në Kosovë (KPEP), sot kanë nënshkruar një memorandum mirëkuptimi për implementimin e projektit “Transparenca dhe neutraliteti në marrjen e mostrave, kontrollin e cilësisë dhe pagesën e qumështit të papërpunuar në Kosovë”.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se ky memorandum mirëkuptimi është pjesë e punës së përditshme dhe është në vargun e aktiviteteve të të gjithë aktorëve brenda sektorit të bujqësisë, konkretisht brenda sektorit të qumështit.

“Kemi pasur bashkëpunim të tillë edhe më herët, i cili ka qenë shumë i suksesshëm dhe me të njëjtin qëllim, për të avancuar edhe më tej gjendjen në sektorin e qumështit, ne po e vazhdojmë bashkëpunimin përsëri”, tha Stavileci.

Ai tha se në bazë të buxhetit të rritur për bujqësinë janë duke e përgatitur planin final për vitin e ardhshëm.

“Përveç buxhetit tonë, së bashku me grantet e BE-së që kapin vlerën diku rreth 5 milionë euro, pastaj grantet që parashihen të ndahen në vitin e ardhshëm si komponentë e parë e projektit, mbi bazën e të cilit është miratuar kredia e bankës Botërore dhe projektit tjetër të DANIDA-s, si dhe përkrahja që do të ofrojnë komunat me buxhetin e tyre kapin shifrën e rreth 35 milionë euro, e cila paraqet trefishin e buxhetit që kemi pasur.\"

\"Kjo është një shenjë shumë inkurajuese për të gjithë ne, por veçanërisht për ata që e kanë mbajtur gjallë sektorin në të kaluarën. Ne besojmë se të gjitha këto zhvillime pozitive na detyrojnë dhe obligojnë të gjithëve që në të ardhmen të bashkëpunojmë edhe më shumë”, është shprehur Stavileci.

Kurse përfaqësuesi i KPEP-it, Mark Wood,  tha se industria e qumështit është duke u rritur dhe është duke i avancuar standardet e saj.

“Këto janë shenja të rritjes së industrisë së qumështit në Kosovë dhe që nga sot fillon edhe shpërndarja e mostrave në mënyrë elektronike. Industria është duke u rritur dhe është duke i avancuar në vazhdimësi standardet e saj. Madje, edhe vetë investitorët po tregojnë besim dhe gatishmëri më të madhe për të investuar në sektorin e  qumështit”, tha ai.

Ndërsa, Milazim Berisha, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Qumështit tha se nënshkrimi i këtij memorandumi të mirëkuptimit është një projekt qenësor për të ardhmen e sektorit të qumështit.

“Transparenca që siguron ky projekt do të ndikojë në besimin që do të krijohet mes shoqatave prodhuesve dhe përpunuesve të qumështit dhe në njëfarë mënyre do ta ngrisim edhe transparencën rreth cilësisë së qumështit për konsumatorin”, potencoi ai.

Synim i përgjithshëm i këtij projekti është që sektori i qumështit të ketë një treg transparent dhe të kontrolluar për qumështin e papërpunuar, i cili do të ndikojë që nënproduktet e qumështit të kenë cilësi më të mirë dhe siguri më të madhe.


 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)