Neglizhenca e AUV-së po i mbyll fermat e Kosovës
Prishtinë, 11 prill - Fermerët e Kosovës i përkrahin plotësisht kërkesat dhe shqetësime e Shoqatës së Qumështoreve të Kosovës lidhur me papërgjegjësinë e Agjencionit të Ushqimit dhe Veterinës.
Besim Kuqi nga Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit ka deklaruar se ekzistenca e 2500 fermerëve të Kosovës është rrezikuar vazhdimisht për shkak të mungesës së vullnetit të AUV-së për t’i trajtuar shkeljet që janë duke u bërë në sektorin e qumështit që sa e sa vite nga prodhues dhe importues të papërgjegjshëm.
Kjo problematikë sipas tij nuk është e re dhe ne vazhdimisht kemi njoftuar organet relevante, por kjo rrezikon që të margjinalizohet pikërisht për shkak të mungesës së angazhimit të AUV-së që të mbrojë konusmatorin vendor nga rreziqet e produkteve me përmbajtje të dyshimtë.
"E bëjmë me dije Qeverinë e Kosovës dhe opinionin e gjërë se në vazhdimësi ka rënie të prodhimtarisë vendore të qumështit dhe mbyllje të fermave, për shkak të konkurrencës së padrejtë që na është bërë nga produktet me vaj palme dhe përbërës të tjerë që përveç rrezikshmërisë ekonomike kanë edhe rrezikshmeri shëndetësore", ka theksuar Kuqi.
Për shkak të kësaj neglizhence sa për ilustrim, tani në Kosovë prodhohen 20 milionë litra më pak qumësht sesa në vitin 2014.
Prandaj Shoqata e Fermerëve Kosovarë të Qumështit i bën thirrje Qeverisë së Kosovës se është momenti i fundit që të ndërmarrë masa sa më shpejt në drejtim të funksionalizimit ët AUV-së.
"Duhet të kihet parasysh se 2500 fermerë kosovarë nënkuptojnë 2500 familje kosovare dhe disa mijëra kosovarë të tjerë të punësuar në këto ferma."
"Andaj mosfunksionalizimi i AUV-së rrezikon mbylljen e mëtejshme të fermave tona dhe ekzistencën e mijëra të punësuarve në to", ka theksuar Kuqi.