Në Mitrovicë korrje-shirjet janë realizuar mbi 75 përqind
Prishtinë, 22 korrik - Fermerët mitrovicas janë në vlugun e punës për grumbullimin e bukës së motmotit. Shumica e sipërfaqeve, kryesisht në zonat rrafshore të mbjella me grurë tashmë janë korrur, ndërkohë që po vazhdojnë punët në korrje në pjesët kodrinore të komunës.
Drejtori i Bujqësisë, Nasuf Aliu i shoqëruar nga zyrtarët e Komisionit Komunal për korrje-shirjet, ka inspektuar mbarëvajtjen e tyre në sipërfaqet e mbjella me grurë në fshatin Vidimriq në veri të qytetit.
Në arat e punës ai ka takuar një nga fermerët e dalluar të kësaj komune, Skënder Rexhepin, I cili tha se ka të mbjella me grurë rreth 11 hektarë.
Krahasuar me vitin paraprak, Rexhepi tha se rendimente e grurit këtë vit janë më të ulëta, kryesisht si pasojë e thatësirave.
Drejtori Aliu, inkurajoj fermerin Rexhepi për punën e bërë si fermerë i dalluar, njëherësh premtoj vazhdimin e mbështetjes nga Komuna për fermerët kultivues të grurit.
Ndryshe, sipas kryesuesit të komisionit përgjegjës, Bedri Bajrami, deri më tani në komunën tonë është korrur mbi 75 përqind e sipërfaqes së mbjell me grurë.
Rendimentet po sillen mesatarisht rreth 3 mijë e 600 kg për hektarë, ndërsa rendimentet në sipërfaqet e mbjell me elb mesatarja sillet rreth 1 mijë e 900 kilogramë për hektarë, tha Bajrami.
Ndonëse Drejtoria e Bujqësisë për mbjelljeve vjeshtore në komunë kishte planifikuar sipërfaqe prej 1 mijë e 200 hektarë grurë, janë mbjell vetëm 1 mijë e 30 hektarë, ndërsa me elb ishin planifikuar 35 ndërsa janë mbjell 30 hektarë.