25 Dhjetor 2024

Në mbarë Kosovën janë korrur mbi 50 % e sipërfaqeve me grurë

Prishtië, 12 korrik - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, morën pjesë në fushatën e korrje-shirjeve, që ka filluar para disa javësh në Kosovë.

Të dielën, kryeministri Mustafa dhe ministri Krasniqi, kanë qëndruar në fushat ndërmjet fshatrave Hallaq i Madh dhe Rufc i Ri të Komunës së Lipjanit, ku kanë monitoruar nga afër korrje-shirjet në këtë rajon. Kryeministri Isa Mustafa, në një deklaratë për gazetarët e pranishëm shprehu përkrahjen e mëtutjeshme të Qeverisë së Republikës së Kosovës për prodhimtarinë primare bujqësore. “Sot, dolëm bashkërisht me ministrin e Bujqësisë dhe me kryetarin e Komunës së Lipjanit, për të shënuar në mënyrë simbolike korrjet e grurit këtë verë.

Në fakt, ne kemi arritur në Kosovë që afër 50 për qind të korrjeve t’i përfundojmë deri më tani dhe është punuar mjaft shumë. Janë rendimente të cilat në vise tjera nuk janë aq të pritura dhe aq të dëshiruara, mirëpo për fat të mirë këtu në Komunën e Lipjanit rendimentet janë mjaft të larta.

Në këto parcela ku jemi, arrijnë deri në 5-6 mijë kilogramë për hektarë, që është rendiment shumë i lartë”, tha kryeministri Isa Mustafa. Duke vlerësuar punën e madhe që është bërë nga Ministria e Bujqësisë këtë verë, edhe në subvencionimin e prodhuesve bujqësorë, kryeministri tha se në Kosovë janë rreth 84 mijë hektarë të mbjella me grurë dhe se rreth 44 mijë hektarë janë të mbuluara me subvencione, që është një kontribut shumë i madh.

Kryeministri poashtu bëri të ditur se këtë vit janë shpërndarë subvencione në vlerë rreth 6 milionë e gjysmë vetëm për grurë, ndërsa në përgjithësi për bujqësi janë dhënë subvencione në vlerë 23 milionë dhe 20 milionë të tjera grante. “Është një përkujdesje shumë e madhe e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për prodhimtarinë primare bujqësore. Ne dëshirojmë që edhe më tutje të nxisim prodhimtarinë, dëshirojmë që edhe më tutje të përpunojmë produktet bujqësore, dhe të arrijmë që të zëvendësojmë për aq sa është e mundur prodhimtarinë bujqësore dhe atë ushqimore me ato vendore”, tha kryeministri Mustafa.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi shprehu kënaqësinë që së bashku me kryeministrin dhe kryetarin e Komunës po shohin nga afër korrje shirjet. “Kjo fushatë, siç tha edhe kryeministri, ka filluar para gati dy javësh dhe besojmë që në 10-12 ditët e ardhshme do të përfundoj. Ajo që vlen të theksohet është se rendimenti mesatar nuk është në nivelin që ne do të dëshironim, por megjithatë është në nivelin e viteve të kaluara. Realisht, pritet që të kemi një rendiment në mes 3.5 deri në 4 tonë për hektarë.

Këtë do ta dimë përfundimisht pasi që të përfundoj i gjithë procesi. Më vjen mirë që komunat si Lipjani po e përmirësojnë këtë mesatare. Realisht, ne sipas kalkulimeve tona, besojmë se do të arrijmë këtë vit që të kemi rreth 75-80 për qind të konsumit të mbuluar. Nevojat e Kosovës, sipas vlerësimeve që i bënë dhe Organizata Ndërkombëtare e Ushqimit dhe Bujqësisë janë rreth 400 mijë tonë, ndërsa ne këtë vit besoj që arrijmë së paku 300 mijë tonë ta kemi prodhimtarinë. Do të thotë ende nuk kemi ta mbulojmë 100 për qind, për këtë duhet që të ketë edhe 25 mijë hektarë shtesë me kultivim të grurit, por besojmë që siç ka qenë trendi i rritjes nga vitit në vit për shtimin e tokës bujqësore, për kultivimin jo vetëm të grurit, por edhe të kulturave tjera, kjo të rritet edhe në të ardhmen”, tha ministri Krasniqi.

Ministri po ashtu theksoi se politikat e Qeverisë kanë ndikuar drejtpërdrejt dhe se këtë vit është rritur përsëri masa e subvencioneve. “Derisa vitin e kaluar, hektari i grurit është subvencionuar me 125 euro, këtë vit subvencionohet me 150 euro. Kemi filluar me subvencionimin edhe për kultura tjera, dhe gjithsesi që do të vazhdojmë me këtë trend, meqenëse kjo ka ndikuar drejtpërdrejt tek rritja e prodhimtarisë, zëvendësimi i importit, zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik por edhe tek krijimi i vendeve të punës. Andaj, çdo sukses i bujqësisë kosovare, i fermerëve tonë, është stimulim shtesë për neve si Qeveri, dhe për ministrinë tonë në veçanti, që të vazhdojmë me fuqizimin dhe avancimin e politikave tona në sektorin e bujqësisë”, theksoi ministri Memli Krasniqi.

Kryetari i Lipjani, Imri Ahmeti falënderoi kryeministrin Mustafa dhe ministrin Krasniqi për mbështetjen, duke shprehur besimin se kjo do ta fuqizoj edhe më tutje sektorin e bujqësisë.

Fermeri Mustafë Gashi, bëri të ditur se ai ka mbjellë 32 hektarë tokë dhe se mesatarja për hektarë sivjet është rreth 5–6 mijë kilogram, duke shprehur mirënjohje për subvencionimet që i janë dhënë nga Ministria e Bujqësisë. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)