Ndahen 20 milionë euro për kredi bujqësore
Prishtinë, 26 shtator - Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, Drejtoresha e Misionit të USAID-it në Kosovë, Maureen A. Shauket dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, së bashku me përfaqësuesit e gjashtë bankave në Kosovë, sot nënshkruan marrëveshjen për fondin garantues për kredi bujqësore, përmes së cilës garantohet kreditimi i 20.1 milionë eurove për sektorin e bujqësisë.
Krijimi i këtij fondi, sipas ministrit Stavileci, ofron një zgjidhje momentale rreth kreditimit në sektorin e bujqësisë, por pasi të përfundoj regjistrimi bujqësor, sipas tij, kur Ministria e Bujqësisë të ketë një pasqyrë reale të gjendjes në terren dhe kur fermerët të regjistrohen, ata do të përkrahen në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe tek kamatat e kredive bujqësore.
Fondi do të ofrojë një zgjidhje momentale, sepse lehtëson qasjen e fermerëve në kredi bujqësore, krijon kushte që bujqësia të mos trajtohet më si sektor me rrezikshmëri të lartë dhe krijon mundësi që të ofrohen edhe kredi bujqësore me kushte shumë më të mira kredituese për fermerët, deklaroi ministri Stavileci.
Ai tha se fermerët kanë qenë të dekurajuar qysh në fillim, sapo kanë shqyrtuar mundësitë për të marrë kredi bujqësore.
Janë dekurajuar nga qasja e vështirë në këto kredi, nga kriteret e rrepta dhe portfolio e vogël, nga normat e interesit shumë të larta dhe shumë vështirë të përballueshme dhe këto përveç që i kanë dekurajuar, kanë kufizuar në masë të madhe edhe potencialet investuese në sektor, tha Stavileci.
Ndërsa, ambasadorja e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, tha se ky fond prej 26 milionë dollarësh, është programi i katërt garantues i USAID-it me Autoritetin për Kredi dhe Zhvillim, por i pari i financuar përmes Ministrisë së Bujqësisë.
Qasja në financa është njëra prej pengesave kryesore për rritjen ekonomike dhe marrja e kredive për bujqësi është shumë e vështirë. Tash përmes programit për garantimin e kredive, ne do tju mundësojmë huamarrësve që të sigurojnë mjete shumë të domosdoshme financiare për bujqësi, që është njëra prej shtyllave të ekonomisë së Kosovës, tha ambasadorja Jacobson, e cila shtoi se mbështetja e sektorit të bujqësisë është njëra prej prioriteteve të saj kryesore.
Mendoj se është ngjarje historike sepse kjo është hera e parë në historinë e USAID-it që Qeveria e vendit nikoqir financon programin për garanci kreditore në partneritet me USAID-in, theksoi Drejtoresha e Misionit.
Kjo ceremoni është dëshmi e bashkëpunimit të mirë dhe mbështetjes reciproke, e cila ekziston në mes të dy qeverive tona, that Drejtoresha e Misionit Shauket.
Pjesëmarrja e kredive bujqësore në vëllimin e përgjithshëm të kredive që janë lëshuar në vitin 2011 përbën vetëm 3.6 % ose gjithsej 40 milionë euro.
Norma mesatare vjetore e interesit ka qenë 22 %, ndërkaq norma më e lartë ka arritur në 25 %, derisa kredi joperformuese kanë qenë vetëm 2.2 %.
Totali i kredive të reja që garantohen në shkallë prej 50 % përmes këtij fondi, me periudhë të disbursimit 5 vite dhe me maturitet prej 15 vitesh, është 20.1 milionë euro.
Shuma minimale e kredive të synuara është 5 mijë, kurse maksimalja 250 mije euro, sepse këto konsiderohen si kategori të kredive që më së shumti kanë për destinim investimet në prodhim. Ndërkaq, përfitues do të jetë i tërë zinxhiri i vlerës në sektorin e bujqësisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës ka kontribuar me 2.5 milionë euro në krijimin e këtij fondi garantues dhe pjesë e tij do të jenë Procredit Bank, Raiffeisen Bank, TEB, NLB Prishtina, Banka Ekonomike e Kosovës dhe Banka Kombëtare Tregtare.