22 Dhjetor 2024

Mundësi të reja të përkrahjes për bujqësinë kosovare

Prishtinë, 19 tetor - Në takimet e radhës që delegacioni i MBPZHR-së është duke i zhvilluar në SHBA, ministri Stavileci dhe ekipi i tij dje janë takuar edhe me drejtorin e departamentit për kredi në USAID, Ben Hubbard dhe zyrtarë të tjerë për investime në këtë organizatë.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për mbështetjen e financiare që USAID-i dhe MBPZHR-ja kanë dhënë për sektorin e bujqësisë, për normat e interesit bankar dhe për mundësitë e reja të përkrahjes për bujqësinë kosovare.

Gjithashtu, në kuadër të takimeve me zyrtarë të lartë të USAID-it, delegacioni kosovar është takuar edhe me Roberta Mahoney, zyrtare e lartë administrative për Evropë dhe me Taisha Jones, zyrtare përgjegjëse e USAID-it për Kosovë dhe Shqipëri, ku është diskutuar për ndikimin e strategjisë ‘USAID Forward’ në diversifikimin e kulturave bujqësore dhe rritjen e kuantitetit dhe kualitetit të prodhimtarisë bujqësore në Kosovë, si dhe janë informuar për përkrahjen që USAID-i planifikon ta realizojë në të ardhmen për këtë sektor.

Në po të njëjtën ditë, ministri Stavileci dhe ekipi i tij kanë qëndruar edhe në Departamentin e Bujqësisë së SHBA-ve, ku janë takuar me administratoren e sektorit të shërbimeve të jashtme të bujqësisë, Janet Nuzun, me drejtorin e divizionit për Evropë, Sharynne Nenon dhe me zyrtarë të tjerë të këtij departamenti.

Në këto takime, pas shkëmbimit të informatave lidhur me sektorin e bujqësisë dhe objektivave kryesore për vitet e ardhshme, ku delegacionit kosovar iu premtua përkrahja e Departamentit të Bujqësisë të SHBA-ve, ka pasur edhe prezantime dhe pika të ndryshme diskutimi.

Zyrtarët e Departamentit të Bujqësisë së SHBA-ve, delegacionin e MBPZHR-së e njoftuan lidhur me shërbimet e analizave ekonomike, ku u diskutua për përfshirjen e kësaj njësie në kuadër të departamentit të Autoritetit Menaxhues në MBPZHR dhe për rolin e saj lidhur me analizat konkurruese, ato të produkteve dumping dhe për problemet tregtare të produkteve bujqësore kosovare në CEFTA.

Po ashtu, në një takim që delegacioni kosovar kishte me zyrtarët e Zyrës për Asistencë dhe Ngritje të Kapaciteteve, e cila funksionin në kuadër të Departamentit të Bujqësisë së SHBA-ve është diskutuar edhe për mbështetjen teknike në trajnimin e zyrtarëve të MBPZHR-së dhe për mundësitë e realizimit të vizitave të ndryshme studimore në SHBA.

Në kuadër të partneritetit që Kosova ka me shtetin e IOWA-s, po shqyrtohen mundësitë e gjetjes së modaliteteve për të përfituar nga përvoja e këtij shteti, i cili njihet si një prej shteteve me bujqësinë më të zhvilluar në SHBA.

Në këto takime është diskutuar edhe për rritjen e efikasitetit në shërbimet këshillimore dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Departamentit të Bujqësisë së SHBA-ve, përkatësisht Sektorit për Punë të Jashtme.

Ndërsa, për realizimin e objektivave që MBPZHR-ja ka për vitet e ardhshme, delegacionit kosovar i është premtuar edhe rritje e përkrahjes nga këto institucione.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)