Mos i digjni sipërfaqet e korrura me grurë
Prishtinë, 18 korrik - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) iu ka bërë thirrje fermerëve që të mos i djegin sipërfaqet e korrura me grurë.
Këto ditë nga terreni jemi njoftuar për djegien e hamulloreve (sipërfaqeve të korrura me grurë) e të cilat në disa raste kanë shkaktuar edhe dëme anësore tek kultura tjera bujqësore, ose kanë rrezikuar pyjet. Ne falënderojmë organet kompetente që kanë reaguar dhe janë në gjendje gatishmërie që të reagojnë, për të mos pasur pasoja edhe më të mëdha. Dëshirojmë të ju bëjmë edhe një herë thirrje të gjithë fermerëve që mos të djegin këto sipërfaqe, sepse vetëm dëme do të ketë.
E para, me këtë djegie, shkatërrohen mikro-organizmat që janë në shtresën sipërfaqësore të tokës, e që janë shumë të dobishme për bujqësinë, për bimët në përgjithësi. Po ashtu me djegie ne humbim rastin që ta mbushim tokën me pleh, pasi kashta e mbetur, me një lëvrim të cekët, aq sa e vendos nën dhe kashtën e mbetur, shndërrohet në pleh dhe kështu sjell të mira në mbjelljet e ardhshme, thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.
Po ashtu me veprime të tilla, sipas MBPZHR-së, rrezikohet të dëmtohet ambienti dhe kulturat e tjera afër sipërfaqeve të mbjellura, qoftë pemishteve, por edhe pyjet.