22 Dhjetor 2024

Modernizimi i fermave, rrit cilësinë e prodhimeve

Prishtinë, 8 gusht - Modernizimi i fermave blegtorale dhe bujqësore po bën që prodhimet vendore të jenë më cilësore, më afër standardeve evropiane dhe më konkurruese me prodhimet e vendeve të rajonit dhe rol kyç në këtë po luan edhe shpërndarja e njohurive tek fermerët dhe demonstrimi i praktikave moderne në mbajtjen e lopëve dhe në kultivimin e kulturave të ndryshme bujqësore.

Për këtë qëllim, në kuadër të projektit të Bashkimit Evropian “Promovimi i bujqësisë, hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të frutave në rajonin e Mitrovicës”, sot u përurua edhe një fermë model në fshatin Dolak dhe një serrë model në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.

Behlul Behluli, këshilltar në MBPZHR, tha se këto qendra demonstruese po kontribuojnë në arritjen e standardeve të BE-së dhe po krijojnë mundësi shumë më të mira për t’i trajnuar fermerët e këtij regjioni mbi praktikat më të avancuara të farmingut.

“Fermat model po krijojnë mundësi për shtimin e prodhimit dhe cilësisë së këtyre prodhimeve dhe krahas kësaj, këto ferma po sigurojnë edhe aplikimin e praktikave më të mira të prodhimit. Për këtë arsye ne, donatorët tanë dhe organizatat e fermerëve nuk duhet të ndalemi me këto ide e investime, në mënyrë që prodhimet blegtorale dhe bujqësore të jenë edhe më konkurruese me ato të vendeve rajonale”, tha këshilltari për blegtori i ministrit Stavileci.

Ai tregoi se këtë vit, MBPZHR-ja ka paraparë të ndajë rreth 3 milionë euro grante investive dhe subvencione për sektorin e blegtorisë, me qëllim të shtimit të prodhimtarisë në këtë sektor. 

Ndërsa, shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se me ndërtimin e këtyre fermave që janë model për fermerët tjerë, Komisioni Evropian po tenton që t’i stimulojë investimet në sektorin e bujqësisë.

“Modernizimi i fermave përveç që ndikon në rritjen e cilësisë së prodhimeve kosovare, ndikon edhe në rritjen e konkurrueshmërisë së këtyre prodhimeve, të cilat pastaj mund të shfrytëzohen edhe për eksport”, tha Stock.

E drejtori i IADK-së, Zenel Bunjaku, vlerësoi se fermat e tilla do ta lehtësonin edhe punën e fabrikave për përpunimin e qumështit, pasi sipas tij, këto ferma do t’ju krijojnë mundësi atyre që të grumbullojnë vetëm qumësht të pastër dhe me standarde evropiane.

“Kjo fermë do të jetë një mundësi e mirë për të gjithë fermerët e kësaj ane, por edhe të gjithë Kosovës, pasi këtu do të merren praktikat dhe përvojat më të mira të punës, të cilat aplikohen edhe në vendet e BE-së dhe kjo do të ndikojë që prodhimet tona të jenë më të pastra dhe më cilësore”, tha Bunjaku.

Ndryshe, model ferma e lopëve qumështore në fshatin Dolak të Vushtrrisë, të cilën e ka ndërtuar fermeri Nazmi Osmani, është njëra nga gjashtë projektet e realizuara përmes projektit të BE-së “Promovimi i bujqësisë, hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të frutave në rajonin e Mitrovicës”.

Kjo fermë është e sistemit të mbajtjes së lirë të kafshëve sipas kërkesave të BE-së dhe në përputhje me standardet e ndërtimit. Ndërsa, serrën e avancuar, e cila do të shërbejë si model për fermerët e këtij regjioni, e ka ngritur fermeri Daut Kosumi dhe kjo është vënë në funksion të fermerëve të rinj është që nga muaji qershor.

Projekti me karakter rajonal “Promovimi i bujqësisë, hortikulturës, blegtorisë dhe përpunimit të frutave në rajonin e Mitrovicës” është implementuar nga Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë (IADK), ndërsa vlera e përgjithshme e projektit arrin në 447,400 euro, ku 86 për qind është financuar nga Komisioni Evropian, 10 për qind e kostos së pajisjeve është mbuluar nga fermerët përfitues dhe 30 mijë euro ka qenë kontributi i komunës së Mitrovicës, Vushtrrisë dhe Skënderajt.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)