22 Dhjetor 2024

Modernizimi dhe strukturimi i bujqësisë prioritet i qeverisë

Prishtinë, 1 dhjetor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, organizata të ndryshme donatore që përkrahin këta sektorë dhe ambasadorë e përfaqësues të ndryshëm të ambasadave të akredituara në Kosovë, sot në një tryezë të rrumbullakët të organizuar enkas për donatorë, kanë diskutuar për gjendjen e sektorit të bujqësisë, pylltarisë dhe zhvillimit rural në këtë fazë zhvillimore, për nevojat e tanishme të këtyre sektorëve dhe për orientimin e investimeve të ardhshme të donatorëve.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se Kosova është vend ku sektori i bujqësisë ka rol jetik për zhvillimin ekonomik.

“Modernizimi dhe strukturimi i bujqësisë është synimi ynë kryesor dhe si rrjedhojë e rritjes së investimeve qeveritare në vitet e fundit, gjendja në këtë sektor ka filluar të ndryshojë për të mirë në mënyrë të dukshme”, theksoi kryeministri Thaçi.

Ai tha se ndjehet mirë që programi i Ministrisë së Bujqësisë dhe vizioni i Qeverisë për zhvillimin e këtij sektori ka arritur të tërheq vëmendje të madhe tek komuniteti i donatorëve, të cilët janë bërë krah i fort i punës për zhvillimin e bujqësisë dhe ekonomisë në përgjithësi.

Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se Qeveria ka treguar që e njeh rëndësinë e sektorit të bujqësisë për ekonominë e vendit tonë dhe këtë e ka dëshmuar edhe duke i rritur burimet tona financiare për t’i mundësuar ministrisë që të bëj më shumë, por përkundër kësaj, sektori përsëri ballafaqohet me pamjaftueshmërinë e investimeve.

“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje financiare për kultivuesit dhe përpunuesit në formë të granteve investive për të përmirësuar produktivitetin në sektorët e hortikulturës, blegtorisë dhe drithërave. Por, ka edhe sektorë të tjerë që janë mjaft të rëndësishëm dhe për shkak të burimeve të limituara financiare nuk po mund t’i mbështesim. Këtu kemi nevojë për ndihmën tuaj”, tha Stavileci, i cili përkrahjen e donatorëve e kërkoj edhe për ndërtimin e kapaciteteve të reja, për rritjen e investimeve në industrinë përpunuese dhe përmirësimin e aftësive konkurruese të fermerëve, etj.

Melvin Asin nga Zyra Ndërlidhëse e Komisionit Evropian tha se është shumë i rëndësishëm serioziteti dhe përkushtimi që po tregon ministria për koordinimin e donatorëve. “Mendoj se sfidë do të jetë gjithsesi koordinimi i mëtutjeshëm i përpjekjeve dhe angazhimit të donatorëve dhe përmbushja e kritereve, mirëpo është inkurajues përkushtimi i juaj”, tha ai.

Ndërsa, Jan-Peter Olters nga Banka Botërore tha se është e qartë se bujqësia është një sektor me potencial të madh, prandaj edhe fokusi i kredisë sonë është vendosur në zhvillimin e bujqësisë së Kosovës.

“Kur shohim përvojat në vendet tjera, lëvizjet tuaja për zhvillimin rural vlerësohen lartë nga ne. Bujqësia është një sektor i ndërlikuar që ka shumë dimensione dhe kërkon angazhim të madh, por angazhimi i juaj na jep shpresë se objektivat e përvijuara do të implementohen në kohë dhe me sukses, andaj ne e mirëpresim edhe rritjen e bashkëpunimit në të ardhmen”.

Koordinimi ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe donatorëve është përmirësuar dukshëm gjatë viteve të fundit. Vlera e projekteve të donatorëve që janë duke u implementuar sillet në rreth 52 milionë euro.

Ndërsa, vlera e projekteve të reja që do të fillojnë të implementohen prej vitit 2012, të cilat në masë të madhe do të ofrohen si grante investive për zhvillimin e sektorit agrorural sillet në mbi 20 milionë euro.




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)