Mitrovicë, ndihmohen pemëtarët me fidane të reja
Mitrovicë, 5 prill - Me qëllim të shtimit të sipërfaqeve të mbjellura me pemë, Drejtoria për Bujqësi dhe Zhvillim Rural e Komunës së Mitrovicës, ka realizuar një projekt për subvencionimin e pemëtarëve me fidane të reja. Në kuadër të këtij projekti janë ndihmuar 7 pemëtarë me fidane të reja të mollës.
Drejtori i Drejtorisë për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, Bislim Imeri, tha se rajoni i Mitrovicës ofron kushte të mira për pemtari. Viteve të fundit shihet një interesim më i madh për kultivimin e pemëtarisë. Në këtë drejtim kemi dashur që sado pak të ndihmojnë pemëtarët mitrovicas.
Ai tha se janë ndarë gjithsej 4375 fidane, ku secili pemëtar ka përfituar nga 625 sosh. Me numrin e fidanëve të reja përfituesit mund të rrisin edhe për nga një gjysmë hektari sipërfaqet e tyre të mbjellura me pemë.
Drejtori Imeri, sqaroi se ky projekt në vlerë prej rreth 8 mijë eurosh është realizuar nga buxheti komunal për subvencione. Secili përfitues ka participuar me nga 60 euro në këtë projekt, që është mirëpritur prej tyre.
Ai tha se pos fidanëve të reja, pemëtarët kanë përfituar edhe nga një pompë spërkatëse. Në kuadër të mundësive që kemi do të mbështesim pemëtarët në vazhdimësi, tha ai, duke premtuar realizimin e një projekti të tillë edhe në shtator.