Mirëmenaxhimi i pyjeve nënkupton ruajtjen e pyjeve
Prishtinë, 12 tetor - Në vilën Gërmia në Prishtinë, sot u diskutua për rolin e qeverisë qendrore dhe lokale për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë, ku u prezantuan edhe gjetjet nga faza e parë e pilotimit pas delegimit të kompetencave dhe rekomandimet për ligjin e ri të pyjeve.
Ministri i MBPZHR-së, Blerand Stavileci, tha se mirëmenaxhimi i pyjeve nënkupton ruajtjen dhe përdorimin e pyjeve në përputhje të plotë me kapacitetin regjenerues dhe potencialin për të përmbushur funksionet shumëdimensionale të tyre, mirëpo prerjet ilegale vazhdojnë të jenë ende në përmasa shqetësuese.
Në vitin e kaluar ne e kemi filluar delegimin e kompetencave nga niveli qendror në nivelin lokal për menaxhimin e pyjeve dhe pas kësaj periudhe njëvjeçare, përkundër punës që është bërë, fenomenet negative si prerja ilegale e drunjve janë ende në përmasa tejet shqetësuese, tha ministri Stavileci.
Ai shtoi se, të gjitha veprimet që duhet të ndërmirren rreth çertifikimit pyjor, duhet të jenë të balancuara dhe të harmonizuara me nevojat e popullatës lokale dhe me funksionet shumëdimensionale të pyjeve.
Ai tha se funksionet menaxheriale të të gjithë faktorëve që menaxhojnë me pyje duhet të jenë me role të ndara për sa i përket planifikimit, zbatimit të planeve, kontrollit dhe masave të tjera që parashihen.
Nait Hasani, kryetar i komisionit parlamentar për bujqësi dhe pylltari tha se, si komision parlamentar së bashku me Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural tani janë duke u angazhuar në sistemin ligjor.
Ne si komision e presim që të na vie ligji në kuvend dhe bashkarisht me shoqërinë civile, me SNV-në dhe mbështetësit e këtij ligji, jemi të gatshëm të punojmë dhe ta miratojmë këtë ligj, i cili besoj se do të jetë i mirëfilltë për mbrojtjen e pyjeve, tha Hasani.
Ndërsa, Arsen Proko nga Ministria e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave në Republikën e Shqipërisë tha se, sa i përket zhvillimeve në sektorin e pylltarisë edhe Shqipëria është në hap me shtetin kosovar.
Edhe ne kemi e përfunduar delegimin e kompetencave nga niveli qendror në atë lokal dhe jemi të kënaqur me rezultatet. Tash jemi në procesin e implementimit të reformave ligjore, që parashohin ndryshime në ndarjen e kompetencave, potencoi Proko.
Ai tha se nga vizitat që ka pasur në Kosovë, ka parë që janë bërë hapa të rëndësishëm në reformimin e sektorit pyjor.
Në këtë diskutim publik, përfaqësuesit e asociacionit të komunave thanë se prej kur është bërë delegimi i kompetencave është ndaluar në masë të madhe edhe prerja e pyjeve në mënyrë ilegale, mirëpo numri i punëtorëve në sektorin pyjor nuk është i mjaftueshëm për kryerjen me sukses të përgjegjësive të deleguara.
Sazan Ibrahimi nga ky asociacion tha se të gjitha vërejtjet që janë dhënë nga krerët komunalë janë marrë për konsideratë nga ministria dhe ju është premtuar se ato do ti inkorporojnë në ligjin e ri për pyje.
Ky seminar u organizua nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Organizata Holandeze për Zhvillim (SNV). Ndërsa, ligji i ri për pyjet do të miratohet gjatë muajve në vijim.