21 Dhjetor 2024

Ministria e Bujqësisë rrit mbështetjen deri 100% për perimtarë

Prishtinë, 14 mars - Ministria e  Bujqësisë, Pylltarisë dhe  Zhvillimit Rural me rritjen e mbështetjes përmes subvencioneve dhe granteve synon stimulimin dhe rritjen e cilësisë së prodhimit dhe përpunimit bujqësor në të gjithë vendin.

Kështu është shprehur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë vizitës që i ka bërë sot qendrës grumbulluese për pemë e perime “Agro Celina”, në fshatin Xërxë të Komunës së Rahovecit, vizitë kjo që vjen pas rritjes së përkrahjes 100% për perimtarë që kultivojnë perime në sera dhe 85% për perimtarët që kultivojnë në fushë të hapur.  

Gjatë kësaj vizite, Ministri Peci i ka njoftuar ata me masat e reja mbështetëse në kuadër të programeve të këtij viti.

“Gjatë mandatit tim si Ministër i Bujqësisë do të përkushtohem maksimalisht që Programi për Pagesa Direkte dhe Programi për Zhvillim Rural, ta plotësojnë njëri-tjetrin, duke krijuar kështu një zinxhir vlere të qëndrueshëm, duke ndjekur rrugëtimin e produktit nga toka në tryezë, duke luftuar informalitetin dhe duke asistuar në sigurimin e tregjeve për prodhimet bujqësore”, theksoi Ministri Peci.

Në kuadër të kësaj vizite, Ministri Peci ka takuar edhe fermerët e bujqit, të cilët bashkëpunojnë me “Agro Celinën”, të cilët përpos se të kënaqur me rritjen e përkrahjes 100% për perimet në sera dhe 85% për perimet në fushë të hapur, treguan se e shohin me pozitivitet subvencionimin e primit të sigurimit për 75% të vlerës në total.

Ministri me këtë rast i ka njoftuar agrobizneset dhe fermerët e këtij rajoni se për një periudhë të shkurtër kohore do ta nënshkruaj Programin për Zhvillim Rural – Grante për vitin 2022, në të cilin ka theksuar se janë duke i parë modalitetet e duhura për rritje të mbështetjes.

Ndryshe, qendra grumbulluese “Agro Celina” është përfituese e grantit për zhvillimin e hortikulturës nga Projekti i Bankës Botërore përmes fondeve të Ministrisë së Bujqësisë me vlerë prej 145,770.29 euro.

Po ashtu, kjo pikë grumbulluese eksporton prodhime të freskëta bujqësore në Gjermani, Suedi, Francë, Belgjikë, Zvicër e njëherit ka të kontraktuar fermerë nga i gjithë territori i Republikës së Kosovës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)