Ministria e Bujqësisë planifikon 43 milionë euro mbështetje për fermerët
Prishtinë, 25 shkurt - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që nga sot ka hapur periudhën për aplikim për grante dhe pagesa direkte për fermerët dhe agropërpunuesit në gjithë territorin e Kosovës.
Buxheti i planifikuar për të dy kategoritë, grante dhe pagesa direkte është rreth 43 milionë euro. Për grante janë planifikuar 20 milionë euro, ndërkaq për pagesa direkte 23 milionë euro.
Gjatë kësaj periudhë, fermerët mund të aplikojnë për të përfituar në kuadër të masave të programit të vitit 2015 për bujqësinë dhe zhvillimin rural, përmes të cilit MBPZHR-ja do të ofrojë mbështetje për shumë sektor të bujqësisë, përfshirë këtu edhe kultura të reja bujqësore, të cilat nuk janë mbështetur në të kaluarën.
Krahas kësaj, rritja e buxhetit për MBPZhR-në ka ndikuar që përveç zgjerimit të mbështetjes në sektorët tjerë, të rritet edhe shuma e mjeteve të ndara për sektorët që janë mbështetur edhe viteve të kaluara.
Ministria e Bujqësisë, në programin e sivjetmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural, ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për lulediell, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për pulari, për bletari, për derrari.
Ndërkaq, sivjet për herë të parë do të ketë subvencione edhe për pemishtet ekzistuese si dhe për raportimin e therjeve të gjedheve.
Ndërkaq, përmes granteve investive sivjet do të përkrahet prodhimtaria e qumështit, mishit, brojlerëve, vezëve.
Po ashtu përkrahje edhe sivjet do të ketë në agropërpunim përmes investimeve në pajisje dhe makineri për përpunimin, ruajtjen dhe marketingun e prodhimeve bujqësore, si dhe do të investohet edhe në diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e biznesit.
Pastaj, do të përkrahet edhe prodhimtaria e mjaltës, prodhimtaria e perimeve në fushë të hapur dhe serra, prodhimtaria e patates, prodhimtaria e mollës, dardhës, kumbullës, vishnjës, dredhëzës, mjedrës, manaferrës, boronicës, vreshtaria dhe bimët mjekuese.
Gjithashtu, do të vazhdojë përkrahja e fermerëve për modernizimin e mekanizmit të tyre bujqësor dhe krahas gjitha këtyre, këtë vit përsëri investohet në projekte për ujitjen e tokave bujqësore. Sivjet përmes masës së diversifikimit të fermave dhe zhvillimit të bizneseve do të mbështesim edhe zhvillimin e turizmit rural dhe turizmit në fermë.
Ndryshe, thirrjet për aplikim për këto masa janë hapur sot dhe periudha e aplikimit do të jetë e hapur 45 ditë nga dita e publikimit. Fermerët, thirrjet dhe dokumentet tjera përcjellëse do ti gjejnë në uebfaqen e ministrisë dhe Agjencionit për Zhvillimin e Bujqësisë.
Një prezantim më detaj i planit do të bëhet në ditët në vazhdim, ku do të jenë të ftuar shoqatat e fermerëve, fermerë dhe grupe të ndryshme të interesit.