Ministria e Bujqësisë përkrah krijimin e unionit nacional të fermerëve
Prishtinë, 5 prill - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Iniciativa për Zhvillimin e Bujqësisë në Kosovë kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për implementimin e projektit Edukimi dhe konsolidimi i fermerëve në Kosovë, i cili për fokus ka organizimin e fermerëve dhe krijimin e një unioni të përbashkët të shoqatave aktive që veprojnë në fushën e bujqësisë.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, parashihet që përfaqësuesit e këtij unioni në mënyrë aktive të përfshihen edhe në krijimin e politikave, në krijimin e legjislacionit dhe në zbatimin e tyre.
Ministri Stavileci, duke folur për rëndësinë e organizimit të fermerëve, tha se përveç që është i nevojshëm organizimi i fermerëve dhe përfaqësimi i tyre brenda territorit, është i nevojshëm edhe për përfaqësim në takime rajonale.
Jemi të interesuar që ta avancojmë pozicionin e fermerit dhe proceset ti shtyjmë bashkërisht përpara. Ka kërkesa tuajat që sot për sot mund të mos jenë të realizueshme, mirëpo duhet ta dimë pse nuk janë, ti keni ju arsyet tuaja bindëse pse kërkoni, ti artikulojmë drejt dhe pastaj, nëse nuk janë fushëveprim i yni, ti adresojmë bashkërisht tek të tjerët, sepse edhe për ta futur tek prioritetet këtë sektor, pa qenë zëri juaj dhe kërkesat tuaja do të ishte shumë e vështirë, deklaroi Stavileci.
Ai tha se Ministria e Bujqësisë është e hapur ndaj secilit problem dhe është e gatshme ta mbështes secilën iniciativë që çon drejt ndryshimeve pozitive dhe avancimit të proceseve në sektorin e bujqësisë.
Ndërsa, drejtori ekzekutiv i IADK-së, Zenel Bunjaku, tha se organizata që ai drejton do të ketë një rol lehtësues në procesin e bashkimit të shoqatave dhe në krijimin e një unioni të përbashkët, i cili do të ketë një përfaqësim unik në vend, në nisma ndërkombëtare dhe në BE.
Ne duhet ta avancojmë përfaqësimin tonë, duhet të përfaqësohemi nga fermerët, sepse edhe fermerët janë hisedarë të zhvillimit të bujqësisë në Kosovë dhe këta hisedarë do të marrin pjesën që u përket në çdo vendimmarrje. Do të mundohemi ti evitojmë fraksionet e ndryshme dhe do të tentojmë që së paku ata të cilët merren me bujqësi, ata të jenë edhe përfaqësues të fermerëve, e jo dikush krejt tjerët që nuk merret hiq as me bujqësi, ka thënë Bunjaku, i cili shprehu bindjen se duke bashkëpunuar ngushtë me ministrinë, do të kenë mundësi që problemet ti artikulojnë më mirë, por edhe të bëjnë ndryshime pozitive së bashku.
IADK-ja do të jetë përgjegjëse për implementimin e projektit Edukimi dhe konsolidimi i fermerëve në Kosovë, e cila do të lehtësojë procesin e krijimit të një unioni të përbashkët të fermerëve, do të ndihmojë këtë union të fermerëve në përpilimin e statutit, në përgatitjen e procedurave dhe në krijimin e trupave të nevojshëm për funksionimin e tij.
Gjithashtu, ajo do të organizojë edhe vizita studimore, do të krijojë lidhje me organizata të ndryshme joqeveritare të shteteve të BE-së, si dhe do të organizojë edhe konferenca me shoqatat nacionale të fermerëve të shteteve të Ballkanit Perëndimor për të sensibilizuar organizimin nacional të fermerëve edhe në Kosovë.
Ndërsa, Ministria e Bujqësisë do të mbështes procesin e organizimit të fermerëve dhe përfaqësimin e tyre në rrjetin regjional të organizatave joqeveritare për sektorin e bujqësisë, do të lejojë që organizata e fermerëve në nivel kombëtar të ketë përfaqësuesin e saj në komisionet përkatëse të ministrisë dhe në përputhje me mundësitë, do të jap edhe kontributin e saj për funksionimin e qëndrueshëm të tyre.