24 Dhjetor 2024

Ministria e Bujqësisë ndanë rreth 9 milionë euro për sektorin e mishit

Prishtinë, 30 mars - Rreth 9 milionë euro do të investohen sivjet në sektorin e mishit, me qëllim të rritjes se kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese në këtë sektor.

Përmes granteve investive dhe pagesave direkte, Ministria e Bujqësisë dhe Pylltarisë, po synon edhe modernizimin e infrastrukturës përcjellëse në fermat blegtorale, si dhe shtimin e krerëve të bagëtive dhe brojlerëve për mish në vend.

Periudha për aplikim për grante investive vazhdon të jetë e hapur në Ministrinë e Bujqësisë dhe fermerët që aplikojnë për të përfituar grante investive për trashjen e viçave dhe prodhimtarinë e brojlerëve, duhet që të jenë të regjistruar si fermerë në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, të kenë kafshë me matrikuj të Kosovës, të dëshmojnë se posedojnë së paku 0,3 hektarë tokë bujqësore për krerë, etj.

Ndërkaq, sivjet për investimet në këtë sektor, si në trashjen e viçave dhe brojlerëve, aplikuesit nuk janë të obliguar të kenë kafshë në momentin e aplikimit, por zotohen se do të kenë së paku 20 krerë viça ose 5 000 broilerë dhe këto duhet t’i dëshmojnë me dokumente përkatëse dhe me praninë e tyre në stallë para paraqitjes së kërkesës për pagesën e fundit. Në kuadër të këtyre masave mbështetëse, 1 milion euro do të investohen në majmërinë e viçave dhe 600 mijë euro për trashjen e brojlerëve.

Ndryshe, intensiteti total i përkrahjes publike mund të jetë deri në 60% të shpenzimeve të pranueshme të investimit, ku përkrahje shtesë prej 5 për qind do të jepet për investimet e fermerëve të rinj. Ndërsa, përkrahje shtesë prej 10 për qind do të jepet për investimet e fermerëve në viset malore.

Ndërkaq, në industrinë përpunuese të mishit sivjet do të investohen 1.4 milionë euro, përmes së cilës masë synohet përmirësimi i infrastrukturës përcjellëse në industritë e përpunimit të mishit e bashkë me këtë edhe rritja e cilësisë së këtyre prodhimeve blegtorale.

Po ashtu, sektori i blegtorisë do të mbështetet edhe përmes pagesave direkte, ku sivjet pagesat direkte për lopë dhe buallica qumështore arrijnë në 3,080,000.00, ndërsa për dele dhe dhi pagesat arrijnë në 1.8 milionë euro. Ndërkaq për pula vojse pagesat arrijnë në 237 mijë euro, si dhe për dosa në riprodhim 50 mijë euro. E sivjet për herë të parë do të investohet edhe në therjet e raportuara të gjedhit, ku vlera e investimeve përmes pagesave direkte në këtë sektor parashihet të jetë 750 mijë euro.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)