Ministria e Bujqësisë hap periudhën e aplikimit për subvencione
Prishtinë, 26 prill - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka hapur nga sot periudhën e aplikimit për pagesa direkte subvencione për disa kultura dhe aktivitete bujqësore. Periudha e aplikimit zgjatë 30 ditë kalendarike që nga dita e shpalljes publike, ndërkaq aplikimi për të përfituar subvencione bëhet në zyrat e Drejtorive Komunale për Bujqësi.
Me rastin e fillimit të aplikimit, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit, Faton Peci i ka ftuar fermerët nga gjithë territori i Republikës së Kosovës që të aplikojnë për mbështetje në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2022.
“Është hapur sot aplikimi për Programin e Pagesave Direkte / Subvencioneve 2022. Ky program arrin vlerën prej minimum 50 milionë euro dhe parasheh rritje të konsiderueshme për shumicën e kulturave bujqësore”, ka thënë Ministri Peci.
Ndërkaq, të gjitha informatat e hollësishme për kriteret dhe dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, fermerët mund t’i marrin në web faqen e MBPZhR-së, https://www.mbpzhr-ks.net dhe në web faqen e AZhB-s, www.azhb-ks.net, si dhe në Drejtoritë Komunale për Bujqësi.