Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do ti subvencionojë bujqit
Prishtinë, 7 mars - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) sivjet ka planifikuar ti rrisë masat subvencionuese për bujqit, por se sa do të jenë ato, do të dihet vetëm pas miratimit të buxhetit.
Zyrtari për Informim në MBPZHR, Adil Behramaj, ka theksuar se buxheti i MBPZHR-së tani është mbi 11 milionë dhe do të vazhdojë të rritet edhe në të ardhmen.
Bujqësia mund të zhvillohet shumë shpejt, mirëpo fillimisht duhet të krijohen parakushtet që i sigurojnë qëndrueshmëri zhvillimit të saj, duhet të hapën korridore dhe të gjenden tregje të reja, duhet të krijohen ura lidhëse me rajonin, ka theksuar ai, duke shtuar se ky sektor është mjaft tërheqës edhe për investitorët dhe komunitetin e donatorëve.
Sipas tij, në kuadër të përkrahjes financiare për sektorët kyçë të bujqësisë, do të vazhdohet subvencionimi i sektorit të drithërave dhe qumështit, si dhe me grande investive për ristrukturimin e potencialit fizik të fermave dhe me përkrahjen e projekteve të Grupeve Lokale të Veprimit (GLV).
Sa i përket përkrahjes financiare nga donatorët për sektorin e bujqësisë dhe zhvillimit rural, këtë vit do të implementohet projekti i Bankës Botërore në shumën e planifikuar prej 10 milionë eurosh, pastaj Komisioni Evropian do të vazhdojë edhe një projekt tjetër për përmirësimin e përpunimit dhe marketingut bujqësor në shumën prej pesë milionë eurosh etj, ka bërë me dije ai.
Për më shumë, përveç përkrahjes nëpërmjet subvencioneve dhe grandeve investuese, Behramaj ka deklaruar se MBPZHR-ja do të vazhdojë ta mbështesë sektorin bujqësor edhe me investime kapitale dhe shërbime profesionale. Në kuadër të adaptimit të politikave fiskale pritet të vazhdohet krijimi i lehtësirave të reja fiskale edhe për disa inpute dhe pajisje bujqësore, si dhe pritet të bëhet përshkallëzimi i TVSH-së për prodhuesit vendorë të cilët e furnizojnë industrinë përpunuese dhe tregun. Shumica e inputeve dhe mekanizmave bujqësorë janë të liruar nga TVSH-ja dhe tarifat doganore, ka potencuar ai.
Behramaj ka shtuar se MBPZHR-ja aktualisht është duke e implementuar projektin e subvencionimit të mbjelljeve vjeshtore. Tanimë komisionet janë në procesin e shqyrtimit të aplikacioneve dhe hartimit të listës së përfituesve potencialë, që do të verifikohen nga komisioni kontrollues, ka deklaruar ai.
Edhe bujku Ilaz Krasniqi nga rrethi i Ferizajt ka theksuar se duhet të ketë më shumë subvencionim, pasi në të kundërtën nuk do të mund ti mbjellin tokat. Ne si bujq kërkojmë të përkrahemi me subvencione, pasi është në të mirë të shtetit dhe të zhvillimit të Kosovës, ka deklaruar ai.
Vitet e kaluara Qeveria e Kosovës ka bërë pagesën edhe të derivateve të naftës për 1 200 pronarët e kombajnerëve. Deri tani Kosova i ka plotësuar kërkesat për grurë vetëm 53 për qind. Shtetet e rajonit buxhetin e bujqësisë e kanë mbi 1.5 për qind, kurse buxheti i Bashkimit Evropian për bujqësinë shkon deri mbi 10 për qind.
/Gazeta Epoka e Re/