22 Dhjetor 2024

Ministria e Bujqësisë do të subvencionojë naften për korrje-shirje

Prishtinë, 29 qershor - Ministria e Bujqësisë edhe sivjet do t’i subvencionojë në masë prej 25 për qind derivatet e naftës në fushatën e korrje-shirjes së drithërave të bardha.

Për këtë qëllim, MBPZHR-ja ka ndarë një fond prej 500 mijë euro dhe përmes kësaj forme të përkrahjes pritet që çmimi i korrje-shirjeve të jetë më i lirë dhe i njëjtë në tërë territorin e Kosovës.

Përgatitjet për fushatën e korrje-shirjeve, tashmë janë në fazën përfundimtare dhe fushata pritet të filloj javën e ardhshme.

Në një takim të përbashkët të përfaqësuesve të MBPZHR-së me drejtoritë komunale të bujqësisë, është propozuar që çmimi fiks për autokombajnat në fushatën e korrje-shirjeve të jetë i njëjtë me atë të vitit të kaluar, 100 euro për hektarë.

Po ashtu, gjatë këtij takimi, përfaqësuesit e drejtorive bujqësore komunale kanë treguar se janë bërë të gjitha përgatitjet e duhura për realizimin e suksesshëm të aktiviteteve të korrje-shirjeve dhe sipas raporteve përfundimtare të drejtorive komunale, në këtë fushatë do të përshihen gjithsej 1558 autokombajna.

Gjatë ditës së sotme, Ministria e Bujqësisë ka formuar edhe komisionin qendror për monitorimin e fushatës së korrje-shirjeve në përbërje të nëntë anëtarëve, ku pjesë përbërëse e tij do të jenë edhe përfaqësuesit e drejtorive komunale të bujqësisë, përfaqësuesit e autokombajnerëve dhe shoqatës së mullisëve, si dhe përfaqësuesit e Fakultetit të Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë sivjet i ka subvencionuar 8664 fermerë për gjithsej 36,637.13 hektarë të mbjellë me grurë, me rreth 3.6 milionë euro. Ndërsa, sipas të dhënave të drejtorive komunale bujqësore, sipërfaqe të mbjella me grurë në këtë vit janë gjithsej 83 mijë e 875 hektarë.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)