Ministria e bujqësisë 3 milion euro për mbjelljet vjeshtore
Prishtinë, 12 tetor - Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ka ndarë 3 milionë euro për subvencionimin e të mbjellave vjeshtore të grurit. Me qëllim të uljes së kostos prodhuese dhe stimulimit të fermerëve për rritjen e sipërfaqes së tokave të punuara, masa subvencionuese, krahas vitit të kaluar është rritur përreth 50 për qind dhe tanimë kanë përfunduar edhe përgatitjet për realizimin e këtij projekti.
Kriteret që fermerët duhet ti përmbushin janë përcaktuar në bashkëpunim me drejtoritë komunale për bujqësi dhe zhvillim rural, me shoqatat e prodhuesve të drithërave, si dhe me Federatën Sindikale të Bujqve të Kosovës.
MBPZHR në pajtueshmëri me palët të cilat kanë kontribuar është përcaktuar në këto kritere: fermeri të jetë banor i përhershëm i Republikës së Kosovës, aplikacionet të tërhiqen nga zyret rajonale të MBPZHR-së, të posedohet fleta për sipërfaqen e tokës bujqësore të punueshme, sipërfaqet e pranueshme me mbjellje janë minimum 2 hektarë, si dhe ngastrat e marrura me qira të tokës bujqësore për mbjellje të jenë minimum 1 hektar i pandarë dhe të dokumentohen përmes kontratës së lidhur ndërmjet palëve.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim është kopja e letërnjoftimit, kopja e kartelës së xhirollogarisë bankare valide, fleta poseduese mbi pronën, si dhe aplikacioni i plotësuar.
Njësia e Pagesave, e cila vepron në kuadër të MBPZHR-së, do të menaxhojë me pranimin e aplikacioneve dhe me kontrollin e ngastrave të mbjellura. Në rast të gjetjes së shkeljeve gjatë procedurës së kontrollimit, duke u bazuar në nenin 18 të Udhëzimit Administrativ nr. 04/2010, do të aplikohen edhe masa ndëshkimore.
Me qëllim që të kemi prodhimtari më të lartë dhe më të qëndrueshme të drithërave të bardha, me theks të veçantë të grurit, MBPZHR i rekomandon fermerët që për çdo paqartësi lidhur me procesin e mbjelljes, ti drejtohen zyreve rajonale dhe shërbimeve këshillimore që veprojnë në kuadër të saj.