Ministri Stavileci vizitoi ndërmarrjen prodhuese Pestova
Vushtrri, 31 korrik - Ministri i MBPZHR-së Blerand Stavileci, me qëllim të përcjelljes së ecurisë së punës për së afërmi, dje ishte për vizitë në ndërmarrjen Pestova në fshatin Pestovë të komunës së Vushtrrisë.
Ndërmarrja Pestova ka traditë në kultivimin dhe përpunimin e patates, si dhe eksporton patate në disa vende të rajonit.
Ministri Stavileci, tha se tani jemi në vazhdën e vizitave në terren dhe së bashku me prodhuesit dhe përpunuesit e ndryshëm të kulturave bujqësore, jemi duke i trajtuar dhe analizuar problemet e ndryshme dhe si rrjedhojë, ti adresojmë në vendin e duhur dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, tju gjejmë edhe zgjidhje.
E dijmë që ekziston një numër i madh problemesh por nuk janë të patejkalueshme, shtoi më tej ministri Stavileci, në këtë kontekst, përveç ngritjes së përkrahjes institucionale ka rëndësi të veçantë të ngritet edhe vetëdijesimi për rëndësinë e punimit të tokës, përfundoi ai.
Më tej, ministri Stavileci propozoi edhe idenë që tani e tutje, sikur komuna e Vushtrrisë që identifikohet me kultivimin dhe përpunimin e patates apo ajo e Mamushës me kultivimin e domates, do ishte mirë që edhe komunat tjera të krijonin një identitet bujqësor duke u specializuar dhe orientuar në kultivimin e kulturave bujqësore në përshtatshmëri me tokën e atij vendi.
Në këtë mënyrë, do të krijoheshin mundësi më të mira të komunikimit prodhues-përpunues dhe komunikimit me investitorë të ndryshëm. Patatja është njëra ndër 5 kulturat bujqësore që eksportohen më së shumti, vazhdoi më tej ministri Stavileci, dhe puna e ndërmarrjes Pestova tregon se bujqësia nuk duhet të konsiderohet vetëm si aktivitet social por edhe si puro ekonomik, suksesi i kësaj ndërmarrje shton angazhimet dhe impenjimet e të gjithëve për ti kryer sa më mirë detyrat tona.
Tani po fillon një etapë e re për zhvillimin e sektorit bujqësor, shtoi më tej ministri Stavileci, dhe shumica e granteve që ndanë MBPZHR-ja dhe partnerët tanë ndërkombëtar, kanë si synim tejkalimin e problemeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe rritjen e aftësisë konkurruese në tregun vendor dhe të jashtëm.
Xhevahire Izmaku, nënkryetare e KK të Vushtrrisë, tha se kompania Pestova është kampion për sa i përket kultivimit dhe përpunimit të patates në vend, si dhe është prej kompanive që më së shumti e ka ndihmuar popullatën e kësaj ane. Ne si komunë jemi duke iu ofruar përkrahje maksimale të gjithë fermerëve të komunës sonë, vazhdoi ajo, por përkundër kësaj ekzistojnë shumë probleme si për ruajtjen e patateve në rastin konkret apo problemi i sistemit të ujitjes, problemi i rrymës elektrike që kërkojnë investim më të madh për ti tejkaluar.
Si problem që kërkon zgjidhje të shpejt për kultivimin e patates në masë më të madhe në këtë pjesë, znj. Izmaku, parashtroi problemin e ujitjes së një pjese prej 1500 ha, ku edhe pas instalimit të gypave, pompave të reja si dhe përgatitjes teknike, ende sistemi i ujitjes nuk është funksional.
Pronari i ndërmarrjes Pestova, z.Bedri Kasumi tha se patatet e Pestovës prodhohen në pronësi të tij dhe në kooperim me pronarë të tokave tjera në një sipërfaqe rreth 350 ha sipas standardeve GLOBALGAP, dhe cilësia e siguria në prodhimin e patatinave arrihet nëpërmjet aplikimit të sistemit HACCP. Qëllimi i kompanisë, vazhdoi më tej z. Kasumi, është të ofrojë vlera dhe cilësi të lartë të produkteve e shërbimeve në treg dhe përkushtimi ynë për cilësi dhe inovim të produkteve të reja ka rritur kërkesën për produkte nga patatja, duke bërë të tejkalohen kufijtë dhe të zgjerohet tregu ynë edhe në shtetet si Shqipëri dhe Maqedoni.
Fermeri ynë, vazhdoi më tej z.Kasumi, ka filluar nga zeroja në vitin 1999-të dhe përkundër asaj që patatja kosovare është më e mira në rajon, nuk ka sesi të jetë konkurrues i fortë përgjatë kësaj periudhe kohore. Ndër problemet që më së shumti ballafaqohemi, shtoi z. Kasumi, janë sëmundjet e ndryshme të patateve, mungesa e deponive të ndryshme për ruajtje, problemi i sistemit të ujitjes, subvencionet e vogla nga institucionet, pastaj interesi i lartë i kredive nëpër banka dhe afati shumë i shkurtë për kthimin e tyre, konkurrenca jolojale dhe e pabarabartë, zhvillimi i politikave strikte nga vendet e rajonit si p.sh. Serbia, etj.